Rezultatet e pjesshme të turit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Poloni konfirmuan sot dështimin e presidentit në ikje, Bronislaw Komorowski përballë rivalit kryesor, kandidatit konservator të opozitës, Andrzej Duda, 42 vjeç.
Pas numërimit të votave në 27 nga 51 rrethe, Duda, kandidat i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) drejtuar nga Jaroslaw Kaczynski, ka marrë 36,7 për qind të votave.
"Komorowski, edhe pse favorit në të gjitha sondazhet paraprake, mori 31,9 për qind të votave", njoftoi sot Komisioni Zgjedhor Kombëtar.
Një kandidat kontestues, Pawel Kukiz, 51 vjeç, u rendit i treti me 21 për qind të votave, një rezultat përtej çdo pritshmërie.
Asnjë prej nëntë kandidatëve të tjerë, përfshirë këtu dhe pesë populistët nacionalistë të të djathtës, nuk e kaluan nivelin katër për qind, sipas këtyre rezultateve të pjeshshme.
Komorowski, i zgjedhur për mandatin e tij të parë në vitin 2010 dhe mbështetur nga Partia qeveritare Platforma Qytetare, i cilësoi këto rezultate si një palaralajmërim serioz drejtuar kampit në pushtet./
/atsh/