E mërkura shënoi afatin e fundit të aplikimit për bileta, për ndeshjen ‘play-off’ të Botërorit, që kombëtarja do të luajë kundër Polonisë më 26 mars në Varshavë.

Interesi nga tifozët shqiptarë për të qenë krah ekipit, ka qenë rekord. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit për 'Report Tv' thonë se në sistemin online janë regjistruar rreth 18 mijë kërkesa për bileta. Një shifër mjaft e lartë kjo, përballë vetëm 3 mijë vendeve që federata polake e futbollit, ka lënë në dispozicion të tfozërisë shqiptare. Këto 18 mijë kërkesa, do të kalojnë në filtrin e përzgjedhjes së fituesve të biletave. Fatlumët do të marrin një e-mail për të vijuar me pagesën. Një biletë në stadiumin e Varshavës për ndeshjen Poloni-Shqipëri kushton 4.200 lekë.

Te Shqipëria ndërkohë trajneri Sylvinho po përpilon detajet e fundit të listës me të grumbulluarit për ndeshjen historike me Poloninë. Trajneri i kombëtares do të bëjë të ditur emrat të shtunën në orën 10:00 dhe pas 60 minutash do të mbajë konferencën me gazetarët për të shpjeguar zgjedhjet dhe për të folur për ndeshjen. Zyrtarisht kombëtarja do të nisë grumbullimin të hënën e 23 marsit, ndërsa disa prej futbollistëve do të jenë në qendrën stërvitore edhe më herët.

Në Poloni legjenda e futbollit Zbigniew Boniek thotë se ‘kualifikimi kundër Shqipërisë nuk duhet të diskutohet’. Ai thotë se ‘një humbje kundër kuqezinjve do të sillte tërmet në futbollin polak’, ndërsa shton se ‘do të ishte ndeshja e fundit për trajnerin Jan Urban dhe sulmuesin Robert Leënadoëski’.

Nëse Shqipëria kualifikohet kundër Polonisë, me 31 mars duhet të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi për të përcaktuar përfundimisht kombëtaren që kualifikohet në Botëror.