Ponari: Sfidat për sjelljen e
armëve të Skënderbeut

Ponari: Sfidat për sjelljen e <br />armëve të Skënderbeut
TIRANE - Ministrja e Kulturës së Austrisë tha se armët dhe reliktet e Skënderbeut “asnjëherë më parë nuk kanë lëvizur nga fondi i Muzeut të Vjenës”. Por, dje u plotësua me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ëndrra për t’u rikthyer pas 600 vjetësh, qoftë edhe njëherë të vetme në atdheun e Heroit tonë Kombëtar. Sjellja e armëve të Skënderbeut së bashku me përkrenaren, gravurën dhe kodeksin janë ekspozuar për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë ka kaluar çdo parashikim ligjor dhe financiar, ku sipas burimeve zyrtare arrin një kosto prej 300 mijë euro. Po si u realizua pagesa e një shume kaq të madhe. Në një intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të sponsorit kryesor SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, z. Avni Ponari, mësojmë se ky projekt ka një kosto me një vlerë shumë më të madhe se shuma zyrtare e deklaruar. Avni Ponari drejtori Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA rrëfen gjithë peripecitë, motivet, sfidat ligjore dhe koston e lartë të ardhjes së tyre nga Austria në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë

A ishte e vështirë për ju si kompani të mbanit mbi supe përgjegjësinë e sjelljes së armëve të Skënderbeut nga Vjena në Tiranë?
Përgjegjësitë financiare janë të ndryshme nga përgjegjësitë civile por përgjegjësitë civile mbartin vlera kombëtare. Atëherë, përgjegjësitë financiare zvogëlohen aq më tepër që këto përgjegjësi kanë të bëjnë me një ngjarje që ndodh rrallë në botë.
Askujt në botë besoj nuk do t’i takojë një fat dhe një përgjegjësi e tillë sa të jetë sponsor, mbështetës, sigurues, garantues i një gjëje me vlera kaq të mëdha që rikthente në atdheun e vet pas 600 vjetësh. Askush nuk do ti provojë këto emocione dhe askush nuk e besonte një ditë do të ndodhte një gjë e tillë.
Por kjo gjë ndodhi dhe ne si grup SIGAL UNIQA jemi krenarë që ishim pjesë e këtij programi, pjesë e këtyre emocioneve të mëdha.
Në muajin Prill, kur kemi diskutuar në bordin dhe njëkohësisht kur kanë filluar edhe negociatat me Muzeun e Vjenës, me njerëzit me influencë në Vjenë, gjithçka ishte vetëm një ëndërr.
Por këtë ëndërr unë ia dedikoj një njeriu: Andreas Brandstetter, CEO i UNIQA Group Austria i cili me shume mençuri, kujdes dhe natyrisht si ambasadori i më i mirë i Shqipërisë dhe një dashamir i vendit tonë, një njeri që ka shkelur të gjithë Shqipërinë me makine e me këmbë, që ka bërë së bashku me mua në këmbë rrugën Valbonë-Vermosh. I mahnitur më ka thënë disa herë sa do të donte të jetonte në këtë vend të mrekullueshëm pasi sa herë që vjen në Shqipëri, pavarësisht punëve të mëdha që ka, pasi është CEO i një kompanie të fuqishme që ka mbi 24 miliardë asete nën menaxhim, në Shqipëri relaksohet dhe pushon i mahnitur. Pikërisht ky njeri është iniciatori i këtij projekti dhe i gjithë kësaj përpjekjeje.

Në çfarë kushtesh sigurie u mundësua ardhja e relikteve dhe sa kushtoi. Çfarë kontratash keni lidhur deri në sjelljen përfundimtare të tyre me shtetin?
Ligjet dhe rregullat austriake janë të rrepta dhe të përcaktuara saktë me një protokoll austriak kështu që nuk ka vend për të komentuar pasi gjithçka është e menduar dhe detajuar më së miri.

Çfarë vlere kanë reliktet e tjera shtesë, përveçse armëve dhe çfarë dëshmojnë ato?
Vlera e relikeve është e pa matur, një vlerë e cila natyrisht është vështirë të llogaritet. Shuma e siguruar është vetëm 35 Milionë Euro, pra në ato kuti kishte objekte shumë të çmuara, të pa bleshme, të pa shitshëm por të siguruar me 35 Milion Euro. Këtë shumë UNIQA e mori përsipër financiarisht dhe natyrisht duke bërë shpenzime të cilat nuk kanë qenë të vogla.

Burimet zyrtare pohojnë se ka kushtuar 300 mijë euro ky projekt, cila është shuma që ju dhatë si kompani. Pra cili ishte kontributi konkret i Sigalit
?
Ky projekt është me vlerë më të madhe. Ky projekt ka filluar në Prill dhe është përballuar tërësisht nga SIGAL UNIQA dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve i cili është aksioner i këtij grupi.
Pra, kostot janë të pallogaritshme para asaj që ne kemi realizuar. Shqiptarët më në fund e kanë Skënderbeun përkohësisht në vendin e tyre dhe natyrisht ky është qëllimi dhe krenaria jonë, paratë në raste të tilla nuk kanë vlerë para veprës që ato realizojnë, kostot mund të jenë edhe më të mëdha.

A kishte një motiv që lidhte me politikën menaxheriale të kopanisë suaj që kontribuoni kaq shumë jo vetëm për ardhjen e relikteve në vendin tonë, por edhe ngjarje të tjera kulturore ?
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA është një nga 100 kompanitë më të mëdha të rajonit. Ky ishte edhe çmimi i këtij viti, ose kompania e 60të në rajon dhe ky është një tjetër tregues. Ne kemi me çfarë të krenohemi prandaj dhe në objektivat e UNIQA Group AUSTRIA gjithmonë ka mbështetje jo vetëm për SIGAL UNIQA por për Shqipërinë. Më konkretisht, mund t’ju përmend rastin e shtëpisë së restauruar në Berat e cila sapo ka përfunduar, teatrin Skampa në Elbasan apo kinemanë Majestic në Korçë, të gjitha të rindërtuara falë dëmshpërblimit të SIGAL UNIQA pasi u shkatërruan plotësisht nga flakët. Pas këtyre rasteve mund të konkludoni vetë për mbështetjen dhe strategjinë tonë në këtë drejtim.
Pra, vëmendja jonë është e fokusuar tek këto vlera dhe duam të bëjmë të pamundurën, natyrisht nëpërmjet të bërit biznes, por në fund është kjo vlerë që duhet ngritur dhe këtë duhet ta bëjmë ne si biznes, qytetarët, qeveria dhe gjithkush që mundet. Në këtë mënyrë mund ti tregojmë botës kush jemi dhe jo cfarë ata dashakeqës murmurisin prapa mureve dhe kufinjve.
Në këtë përvjetor ne jemi përpjekur të spikasim me mbështetje aq sa mundemi për t’i forcuar ndjenjat kombëtare, vetëm kështu mund të ecim si komb, vetem kështu mund të jemi më të mirët.
Ne jemi prezentë në të gjithë hapësirën shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe e kemi shtrirë hartën tonë të aktivitetit që nga viti 2000. Pra jemi ky biznes operon në një popullsi totale prej afërsisht 8 milion banorë dhe natyrisht dhe ky është qëllimi ynë: të jemi kudo prezent, në çdo vend ku ka shqiptarë.

A mund të na tregoni historinë e udhëtimit të tyre nga Vjena në Tiranë. Një dëshmi emocionale që lidhte me kontaktin dhe të qëndruarit shumë afër me këto simbole të Heroit të madh kombëtar. .
Kur filloi transporti i armëve të Skënderbeut nga Muzeu i Vjenës, mua dhe disa miqve të mi, përnjëherë na u duk i zvogëluar muzeu, na u duk i pa mbrojtur. Shikoni Muzeun Kombëtar si është tani, më i gjallëruar, më i ngrohtë, më i konsoliduar pasi tashmë atje është Skënderbeu i vërtetë.
Emocionet kanë qenë të mëdha, dëshira ime ishte që rruga e armëve të Skënderbeut të bëhej me kalë gjë e cila nuk u realizua për arsye sigurie por nëse do të vinte me kalë, mbërritja e armëve dhe përkrenares do të kishte hijeshi e madhështi më të madhe.
Një gjë është e rëndësishme, ne, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA garantuam një vepër në Shqipëri dhe askujt nuk do ti takojë kurrë, në të gjithë botën, të bëjë të njëjtin veprim si ai që bëmë ne.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi