Pasi që kryetari rus, Vladimir Putin, nuk u mjaftua me aneksimin e Krimesë, në mars të këtij viti, por vazhdoi edhe më tej ta destabilizojë Ukrainën, duke përkrahur rebelët prorusë në lindje të këtij shtetit, tashmë të ndarë, Perëndimi më në fund vendosi ta ashpërsojë qasjen ndaj Rusisë me sanksione më të rënda.

Evropa, po ashtu, e kuptoi se duhet të veprojë që të mos lejojë që Rusia, sipas recetës, tashmë të sprovuar në Ukrainë, të shtrijë ndikimin e saj destabilizues edhe në Ballkan.

Wolfgang Petritsch, prandaj, pret "do porosi tepër të fuqishme" të kancelares gjermane, Angela Merkel, në konferencën kushtuar Juglindjes së Evropës, e cila do të mbahet në Berlin, më 28 gusht.
Për t'i dhënë dramaticitetin e duhur parashikimit të tij, diplomati i njohur, përndryshe mjaft i informuar mbi vorbullën politike ballkanase - njëherë si negociator kryesor për Kosovën në Konferencën e Paqes në Rambuje e në Paris e më vonë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare për Bosnjë-Hercegovinën, në një intervistë dhënë të përditshmes sarajevase “Dnevni avaz”, thotë se porosia e znj.

Merkel do të jetë po aq e ashpër, sa atëherë kur, në prag të hyrjes së Kroacisë në BE, kërkoi që kryeministri kroat, i zhytur në korrupsion, “duhet të shkojë”.

Në të vërtetë, Petritsch këso porosish pret për Bosnjën, e cila edhe do të jetë temë qendrore në Berlin dhe atë, pos arsyeve të njohura deri më tash që këtë vend e kanë shndërruar në një shtet jofunksional, edhe për një shkak të ri: faktorin Rusi.

Ai ka thënë se BH-ja është shndërruar në një poligon, nëpërmjet të të cilit presidenti rus, Vladimir Putin, tash po provon ta dobësojë ndikimin e Bashkimit Evropian.

Dhe, ka shpjeguar më tej, në të njëjtën mënyrë siç e bën këtë në Ukrainë, Gruzi apo Moldavi, Putini vepron edhe në BH nëpërmjet Republika Srpskas, ndërsa me logjikën e thjeshtë se në qoftë se nuk mund ta ketë nën ndikim të tërë BH-në, atëherë së paku ia vështirëson jetën BE-së, duke manipuluar me RS-në me mbështetjen e “liderit provincial të quajtur Dodik”.

Por, meqë tubimi i Berlinin mbahet me qëllim të stabilizimit të përgjithshëm në Evropën Juglindore, është krejtësisht reale të pritet që, në kuadër të këtyre përpjekjeve, kancelarja gjermane të dërgojë porosi po aq “të fuqishme” edhe sa u përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me a pa ndikimin rus, nuk është vështirë të dëshmohet se Serbia nuk ka hyrë me sinqeritet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ndonëse në këtë fazë Serbisë nuk i është kërkuar njohja formale e Kosovës, por vetëm të mos e pengojë konsolidimin e shtetit të ri, Serbia në të vërtetë e ka bërë mu këtë.

Më shumë se për përmirësimin e pozitës së serbëve kosovarë në procesin e integrimit të tyre, Serbia është përpjekur që ta ruajë ndikimin e Beogradit në Kosovë.
Prandaj, Marrëveshjen e Brukselit e ka shndërruar në një tavolinë suedeze, nga e cila ka marrë vetëm aq sa i duhet, duke mos i përmbushur obligimet e tjera.

Prandaj, Beogradi tash, derisa Prishtina ende nuk i ka formuar institucionet e reja qendrore, insiston në Asociacionin e Komunave, madje me kompetenca shtesë, ndërsa në komunat veriore nuk janë shuar administratat ilegale komunale edhe pas zgjedhjeve, nuk janë shuar strukturat paralele të sigurisë, Serbia nuk pajtohet për themelimin e Gjykatës Themelore në veri e as nuk zbatohen në terren marrëveshjet e arritura për energjinë dhe Telekomin.

Me një fjalë, nuk është pajtuar me asgjë që i kontribuon funksionimit të Kosovës si shtet. Dhe dëshiron të hyjë në BE, natyrisht!