Projekti për Portin e Durrësit/ Alibeaj: Antikushtetues, do e çojmë në gjykatë! Balla: Në Greqi e donin këtë projekt, këtu opozita në garë për të sulmuar qeverinë

TIRANË- Porti i Durrësit është bërë “karta e fortë” e opozitës për të sulmuar qeverinë e Edi Ramës. Kësaj here, është kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Enkeljed Alibeaj i cili ka akuzuar se ky projekt është në shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se pas miratimit në Kuvend, do e çojnë në Gjykatë. Ndërkoi pati edhe një reagim nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili e konsideroi këto akuza si një "garë" mes opozitës kush sulmonte më së shumti qeverinë.

Alibeaj në një deklaratë nga Kuvendi, tha se shqiptarët nuk do përfitonin nga ky projekt siç kishte deklaruar kryeministri, por do të dalin me humbje. Në llogaritjet e bëra të Alibeaj, shteti shqiptar humb 348.45 mln euro. Kreu i grupit të PD-së theksoi se kjo është një skemë që ka zero transparencë dhe shton rreziqet për pastrim parash.

“Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje”. (...)

Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi. Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit”, tha Alibeaj.

Alibej vijon akuzat e tij duke e cilësuar si një aferë korruptive ndërtimin e këtij Porti që nuk do të bëjë gjë tjetër veçse mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve. Ai ngre edhe disa pyetje, mes të cilave e përse një projekt i tillë nuk i nënshtrohet konsultimit publik dhe se çfarë do të ndodhë me Portin aktual.

“Pra, një projekt, i cili do të ketë impakt mbi gjithë jetën e qytetit dhe qytetarëve, pasi do të sjellë mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve, nuk i nënshtrohet një konsultimi publik, pra për të kuptuar se cfarë realisht duan qytetarët e Durrësit dhe sa dakord janë ata me këtë projekt. (...)Çfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Cfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?”, shtoi deputeti demokrat.

Kjo dalje e tij për mediat, vjen vetëm pak ditë pas tentativës për mashtrim të grupit të ‘Rithemelimit’ pak orë para protestës, ku gënjyen se kanë dorëzuar në Kushtetuese marrëveshjen e Portit të Durrësit, ndërkohë që në fakt kishin çuar marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe, në të cilën ky projekt përmendej vetëm në një gjysmë fjalie. Mirëpo, “gafa më e madhe” e kësaj historie është fakti se një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të çohet në ‘Kushtetuese’ pas ratifikimit, pra jo vetëm që nuk kanë çuar projektin e Durrësit, por edhe padia e bërë nuk ka asnjë vlerë.

Deklarata e plotë
Në seancën plenare të ditës së enjte, ne kërkuam me forcë transparencë të plotë për marrëveshjen e Portit të Durrësit. Në përgjigje të kësaj kërkese, një ditë më pas, Kuvendi na vuri në dispozicion dokumentacionin e kësaj marrëveshje. Nga studimi që deputetët e Grupit Parlamentar, së bashku me ekspertët tanë, i kanë bërë materialeve të vëna në dispozicion, kanë rezultuar shkeljet kushtetuese dhe ligjore, si vijon: 

1.    Shkelja e neneve 71 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: MSA-ja, e firmosur në vitin 2006 dhe hyrë në fuqi në vitin 2009, sanksionon se cdo ndihmë shtetërore që shteti shqiptar i ofron sipërmarrjeve të caktuara, e cila shtrembëron apo dëmton konkurrencën është në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Përcaktimi me ligj të posacëm i të drejtave dhe privilegjeve që një sipërmarrje private përfiton për realizimin e një projekti publik, përbën një shkelje flagrante të MSA-së. Lidhur me praktikën e ligjeve speciale, Komisioni Evropian është shprehur në dy raste, ligji për Teatrin Kombëtar dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke konstatuar se përcaktimi me ligj i operatorëve që përfitojnë kontrata publike është në shkelje të detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të MSA-së. Në rastin konkret, pa asnjë lloj gare, konkurrence apo transparence, qeveria shqiptare ka përcaktuar sipërmarrjen private që gëzon të drejtën për të zhvilluar projektin e portit të Durrësit. 

2.    Shkelja e nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës: Kushtetuta garanton lirinë e veprimtarisë ekonomike, ku përfshihet edhe konkurrenca, dhe mbrojtjen në mënyrë të barabartë të pronës publike dhe private me ligj. Në rastin konkret, rezulton se jo vetëm është cënuar liria e veprimtarisë ekonomike dhe konkurrenca, por edhe mbrojtja që duhet të gëzojë prona publike. Kushtetuta përcakton se kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm me ligj dhe për interesa publikë. Pra, kufizimi i kësaj mbrojtje që ofron Kushtetuta mund të ishte e lejueshme vetëm për sa kohë është përcaktuar me ligj dhe bëhet për interes publik. Sic do të shohim në vijim, është e qartë se në rastin konkret nuk mbrohet interesi publik, përkundrazi cënohet rëndë. Ndërkohë, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kontributi në strehimin social, është një trajtim i diferencuar që diskriminon padrejtësisht të gjithë ndërtuesit e qytetit të Durrësit, të cilët për zhvillimin e një projekti ndërtimi janë të detyruar t’i paguajnë këto detyrime. 

3.    Leverdia ekonomike: Pyetje që me të drejtë mund të ngrejë cdo qytetar, është cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti. Për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se cfarë ofron shteti shqiptar dhe cfarë merr në këmbim. Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje. 

Një mënyrë tjetër për të vlerësuar leverdinë ekonomike, mund të ishte duke parë praktikat që ndjek cdo pronar toke që ofron për zhvillimin pronën e tij. Në kontrata private, pronari i tokës merr të paktën 30% të sipërfaqes ndërtimore, cka në rastin konkret do të nënkuptonte që shteti do të përfitonte 612 milionë euro vlerë ndërtimi. Edhe në këtë rast rezulton se diferenca është 332 milionë euro më pak. Qartazi pra, shteti shqiptar nuk ka asnjë leverdi ekonomike nga kjo marrëdhënie kontraktuale. 

4.    Kompani e regjistruar në off-shore dhe pastrimi i parave: E keni dëgjuar kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore? Pse kompania ndërkombëtare Emmar nuk ka ardhur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, por nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Ishujt Kajman? Edhe këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje. Emri i kësaj kompanie me reputacion ndërkombëtar, jo vetëm do t’i jepte siguri realizimit të këtij projekti, por do të ishte një marke e mirë për të garantuar suksesin e projektit në praktikë. Ndërkohë, nuk mund të mohohet rreziku që ekziston për pastrimin e parave nëpërmjet kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, aksionarët e të cilës mbeten enigmatikë. Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi. 
Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit. 

5.    Ndarja e aksioneve dhe shpërndarja e dividentit: Marrëveshja përcakton se shteti shqiptar do të ketë 33% të kompanisë së re që do të krijohet, ndërsa sipërmarrësi privat 67%. Ajo që mbetet e pasqaruar është se si është bërë kjo ndarje aksionesh, në një kohë që sic kemi shpjeguar më parë shteti shqiptar ka ofruar 630 milionë euro, ndërsa sipërmarrësi privat do të ofrojë vetëm 160 milionë euro. Nga ana tjetër, thuhet se fitimi i shtetit shqiptar do të vijë nëpërmjet dividentit, pra ndarjes së fitimeve, por duke qenë se jetojmë në Shqipëri dhe skemat me kompani publiko-private që dalin vazhdimisht me humbje nuk janë të panjohura, si do të garantojë shteti që kompania nuk del cdo vit me humbje dhe shteti nuk fiton asgjë. Skemat janë të njohura: marrja e kredive dhe borxheve në shuma të larta, nënkontraktimet me fatura të fryra tej logjikës ekonomike dhe shpërndarja e fitimit nëpërmjet pagave marramendëse të stafit. Megjithëse pra, se në teori thuhet se shteti mund të fitojë 280 mln euro nga ndarja e fitimeve, mundësitë janë të mëdha që shteti të mos fitojë asgjë, pasi kompania do të dalë cdo vit me bilanc negativ. 
6.    Mungesa e plotë e transparencës dhe impakti social: I gjithë ky projekt, i cili do të ketë një impakt të madh ka kaluar në mungesë totale të transparencës me qytetarët dhe publikun. Deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion lidhur me zhvillimin e këtij projekti dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e ka refuzuar dhënien e informacion me pretendimin absurd të ruajtjes së konfidencialitetit. Ndërkohë, që edhe me qytetarët, shoqërinë civile, komunitetin e qytetit të Durrësit nuk rezulton të ketë pasur asnjë lloj konsultimi apo marrje mendimi. Pra, një projekt, i cili do të ketë impakt mbi gjithë jetën e qytetit dhe qytetarëve, pasi do të sjellë mbylljen e bizneseve të zonës, dëmtimin e bizneseve të ndershme që veprojnë në sektorin e ndërtimit, luhatjet e mëdha në cmimin e pronave të qytetarëve, nuk i nënshtrohet një konsultimi publik, pra për të kuptuar se cfarë realisht duan qytetarët e Durrësit dhe sa dakord janë ata me këtë projekt. 

7.    Cfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Cfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit? 

Krahas asaj që e përmendëm më lart, pra shteti ofron 630 milionë euro pasuri dhe të drejta, shteti do të përballojë kosto e transferimit, kostot e shpronësimeve, kosto e shërbimeve ligjore dhe kosto e depozitimit të mbetjeve. A ka një përllogaritje të të gjitha këtyre kostove dhe nëse po, cila është leverdia ekonomike nga realizimi i këtij projekti? Asnjë pronar privat toke nuk do të pranonte të hiqte dora nga prona e tij në mënyrë që të dilte me humbje. Si është e mundur atëherë që këtë e bën pronari shtet? 

8.    Procedura e përshpejtuar parlamentare: Pyetjet dhe paqartësitë e mësipërme meritojnë një debat të gjërë publik dhe parlamentar, në mënyrë që të merrnin përgjigje shteruese. E megjithëse ka kaq shumë pyetje dhe kundërshti, qeveria ka zgjedhur ta kalojë këtë projektligj me një diskutim minimal 2-ditor. Është e qartë se kjo përpjekje e qeverisë ka për qëllim që të kalojë pa debat, pa transparencë, pa llogaridhënie një projekt në kundërshtim me Kushtetutën, MSA-në, ligjet shqiptare dhe interesin publik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:20
Akuzat e Alibeajt për projektin e Portit të Durrësit, Balla: Në Greqi qeveria u kritikua për humbjen e këtij investimi, këtu opozita bën garë kush sulmon më shumë

1667816081_WhatsAppImage20221107at11.14.15.jpeg

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të Enkelejd Alibeajt lidhur me Portin e Durrësit. Balla tha se ndërkohë që në parlamentin grek opozita kritikonte qeverinë për humbjen e këtij investimi, opozitat në Shqipëri bënin garë kush sulmonte më shumë qeverinë për këtë investim në Durrës.

Nëpërmjet një reagimi në facebook, Balla shkruan se impakti i këtij investimi do të sillte punësimin e 12 mijë personave, ndërsa vetë projekti kishte një vlerë investimi në shifrën mbi 2 miliardë euro.

Reagimi i Plotë i Ballës:

Aleanca Rublave do të vazhdojë të sulmojë Portin Turistik të Durrësit, për hesap të bordorosë ku ata firmosin çdo ditë, për shkak të urrejtjes dhe tradhëtisë ndaj Shqipërisë dhe interesave të saj. Nuk ka shqiptare e shqiptar që nuk e ka kuptuar që ky sulm i opozitave është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.

Pak ditë më parë në parlamentin grek, vend anëtar i Bashkimit Europian, opozita kritikoi Qeverinë për humbjen e këtij investimi, me arsyetimin pse po shkon në Shqipëri dhe nuk e mori Qeveria greke për Portin e Selanikut. Ndërsa në Shqipëri opozitat janë vënë në garë me njëra-tjetrën se kush e sulmon më shumë Qeverinë pse pse e solli këtë investim në Durrës. O zot!

Projekti ka një vlerë investimi mbi 2 miliardë Euro me një impakt ekonomik direkt që përfshin të gjithë të ardhurat që do të gjenerohen nga zhvillimi i kësaj zone, si të ardhurat nga shitja e apartamenteve, hoteleria, ankorimi i anijeve e jahteve, etj.

Impakti Direkt përfshin gjithashtu punësimin e rreth 12.000 personave, fillimisht në ndërtimin e kësaj zone, më pas gjatë menaxhimit të saj si punësimi në hotele, në restorante, në njësi biznesi dhe shërbimesh. Zhvillimi i zonës do të sjellë për Durrësin përmirësim të infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, rivitalizimi të artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar.

 

SI.E./B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 14/11/2022 20:18

    Këtu ështé Shqipëri e jo Serbi Rusi e Greqi o Taulant Daçiçi shqipfolës…!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve