Portokalli, dy kryetarë kavajas
në skenë përpara 10 mijë vetëve

Portokalli, dy kryetarë kavajas<br />në skenë përpara 10 mijë vetëve
KAVAJË - Nën logon “Verë dhe Portokalle” trupa e një prej spektakleve aq të dashur për të gjithë shqiptarët “Portokalli” zbriti në fundjavë në qytetin e Kavajës duke mbledhur në sheshin kryesor të qytetit me mijëra njerëz. Sipas zyrës së shtypit të bashkisë së Kavajës mbi 10 mijë vetë populluan sheshin kryesor të qytetit ndërkohë që janë argëtuar me skecet e përgatitura me mjeshtëri nga djemtë dhe vajzat e Portokallisë, duke satirizuar në shumicën e rasteve politikanët shqiptarë.
Por supriza e këtij spektakli ka qenë vetë humori i aktorit dhe humoristit Gaz Paja me kryebashkiakun e këtij qyteti, Elvis Rroshi. Menjëherë në skenë ftohet për të shkuar kreu i bashkisë së qytetit të Kavajës Elvis Rroshi, si njeriu i cili mundësoi këtë aktivitet për gjithë komunitetin e zonës. Dhe çfarë mund të ndodhte tjetër: në vend të Elvis Rroshit, në skenë ngjitet një tjetër Elvis Rroshi, por një imitim i tij, një personazh i luajtur në mënyrë krejt origjinale nga Paja.
Njerëzit shpërthyen në të qeshura dhe aktori Paja përshëndeti dhe me një ton disi kërcënues u thoshte aktorëve të portokallisë se “po nuk u kënaqën me ju bashkëqytetarët e Kavajës, duhet të gjeni vend dhe të futeni”. Por menjëherë në skenë ngjitet vetë kreu i bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi dhe dy personazhet, i pari imitim dhe i dyti origjinali, kishin një tjetër debat mes tyre. Kush je ti, e pyet kryetari i Bashkisë Rroshi Gaz Pajën. Unë jam kryetari, i përgjigjet aktori. Po nëse ti je kryetari, ia kthen menjëherë zoti Rroshi, unë kush jam? Dhe këtë pyetje e drejton menjëherë nga publiku, i cili thërret në emër e mandej drejtohet drejt aktorit. Por kryetari origjinal i bashkisë, duke gjetur një zgjidhje satirike edhe për vetë realitetin e brishtë dhe të varfër, jo vetëm në Kavajë, po gjithandej nëpër Shqipëri, lëshon batutën sa ironike aq edhe të vërtetë: Ok, atëherë rri ti e merru me hallet e popullit, se po iki unë!
E në këtë moment, aktori i Portokallisë del menjëherë nga skena me vrap ndërsa thoshte se nuk merrej dot me këtë punë. E nën vrapin e aktorit, kryetari i Bashkisë Elvis Rroshi, mes batutave, të qeshurave të publikut kthehet dhe shpall mbrëmjen e humorit të hapur duke falenderuar edhe trupën e Portokallisë.
Ky ishte një ndër skecet e luajtura që në fillim të spektaklit, duke garantuar edhe suksesin e tij. Mes të qeshurave pa fund, këngëve të këngëtarëve profesionistë dhe ndërhyrjeve të herëpashershme me shumë duartrokitje nga publiku, për tre orë me rradhë të gjithë të pranishmit ndaluan për shumë kohë nga hallet e përditshme, për tiu kthyer humorit. Aktorët e Portokallisë janë lodhur gjatë edhe pas spektaklit duke dhënë autografe e duke bërë fotografi me të gjithë ata të cilët i ndalonin për të parë edhe fytyrat e tyre të vërteta.

I gjithë aktiviteti u sponsorizua nga bashkia e Kavajës. “Ky nuk është as spektakli i parë dhe nuk do të jetë as i fundit, deklaroi kreu i bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. E kemi filluar kohë më parë me Maratonën e këngëve popullore, sollëm në Kavajë tenorin e madh të qytetit Agim Hushi, tani sapo përfundoi një spektakël humori, por i garantoj bashkëqytetarët e mi, se të tjera spektakle do të ketë jo vetëm përgjatë këtij viti, por gjatë gjithë mandatit për të cilin qytetarët më kanë besuar votën. E kam fare të qartë se shumë prej problemeve nuk zgjidhen kështu, por të paktën duke gjallëruar jetën e një qyteti si Kavaja, do të gjallërojmë edhe frymën e këtij qyteti, ku të gjithë banorët, do të ndihen pjesë e tij, dhe njëkohësisht pjesë e ndryshimit. Ishte një pjesmarrje shumë e madhe dhe i falenderoj bashkëqytetarët e mi për kulturën e treguar” tha kreu i Bashkisë Elvis Rroshi.
(Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com)
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat