Profili/ Kush është Al-Jolani, ish-njeri i ISIS-it që tani e portretizon veten si një demokrat për të marrë kontrollin e Sirisë

Abu Mohammad al-Jolani

“Regjimi i Asadit ka përfunduar, të gjitha sektet fetare do të kenë të drejtën të bashkëjetojnë, Siria meriton një qeveri gjithëpërfshirëse, jo një autokrat që merr vendime i vetëm.” Kështu shprehet Abu Mohammad al-Jolani, lideri i rebelëve që, pas marrjes së Aleppos, marshojnë drejt Damaskut. Aspirata e tij është qartazi të bëhet pasuesi i Bashar al-Asadit, diktatorit që sundoi Sirinë me dorë të hekurt për një çerek shekulli, pasi babai i tij, Hafez, kishte bërë të njëjtën gjë për tre dekadat e mëparshme. “Kam marrë vendime të gabuara në të kaluarën, por njerëzit bëhen më të urtë me moshën; kjo është në natyrën njerëzore,” shtoi Jolani në intervistën të dhënë dje për CNN-in, i vetëdijshëm për reputacionin e tij të kaluar, ndërsa një vend me 23 milionë banorë duket në prag të rënies në duart e tij.

Por kush është me të vërtetë lideri i Hayat Tahrir al-Sham (HTS), lëvizja islamike e formuar prej tij gjatë luftës së gjatë civile siriane? Grupi i tij ka lindur nga al-Kaeda dhe ISIS, dy organizata terroriste, por gjatë dekadës së fundit ka ndërprerë lidhjet me të dyja. Për Shtetet e Bashkuara, të cilat e burgosën në Irak gjatë pushtimit për rrëzimin e Sadam Huseinit dhe më pas, pasi e liruan, vendosën një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij, ai mbetet një xhihadist, një ekstremist islamik. Kurdët, të cilët deri vonë e konsideronin armik, tani shprehen të gatshëm të negociojnë me të, nëse ai u siguron hapësirën që ata kërkojnë. Nga ana e tij, Jolani këto ditë është shprehur i hapur madje për marrëdhënie me Rusinë e Putinit, armikun e tij të betuar deri dje, si mbështetësi kryesor ushtarak i Asadit.

I lindur në Arabinë Saudite 42 vjet më parë, Jolani u zhvendos në Damask me familjen kur ishte fëmijë. Është rritur në një klasë të mesme, ka studiuar dhe ka aftësi të padiskutueshme karizmatike si dhe zotësi politike e ushtarake. Ai tregon se është radikalizuar në kohën e Intifadës së Dytë Palestineze, në vitin 2000. Është bashkuar me al-Kaedën gjatë luftës në Irak, por më pas ka braktisur ideologjinë e një lufte të shenjtë globale kundër Perëndimit, është distancuar edhe nga ISIS-i dhe ka ndjekur një rrugë nacionalizmi sirian, sigurisht në emër të Islamit, por pa deklarata xhihadiste. Ai ka qeverisur Idlibin, qytetin e Sirisë që ka qenë bastioni i tij, me moderacion dhe pragmatizëm. Gjatë pandemisë Covid, popullsia thoshte se ishte më mirë e administruar nga rebelët e Jolanit sesa nga qeveria e Asadit.

Ndërsa avancon drejt Damaskut, lideri i HTS-së shpall tolerancë fetare. Këtë javë, përpara se të niste ofensivën nga Aleppo, duke folur si dikush që ndihet tashmë lider kombëtar, ai deklaroi se lëvizja e tij mund të shpërbëhet dhe se diversiteti shoqëror i Sirisë do të respektohet. Ekspertët e çështjeve të Lindjes së Mesme paralajmërojnë se Jolani nuk është një liberal demokratik. Gazetarja që e intervistoi për CNN-in mbante shami. Por ai mund të mos jetë një fundamentalist i tipit të talebanëve, edhe sepse Siria nuk është Afganistani. Nëse është ai pasuesi i Asadit, koha do të tregojë nëse sirianët dhe Lindja e Mesme kanë fituar apo humbur./La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E verteta.: 07/12/2024 09:41

    Eshte Kriminel i CIA dhe Nato

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

PAMJE TË RËNDA/ Kamerat e sigurisë filmuan dhunën barbare ndaj Adriatik Roshi! E rrahin me leva e sëpatë

PAMJE TË RËNDA/ Kamerat e sigurisë filmuan dhunën barbare ndaj Adriatik Roshi! E rrahin me leva e sëpatë