Pas debutimit zhgënjyes në Kupën e Botës 2026, ku Portugalia u ndal në një barazim 1-1 nga Kongo, Francisco Conceiçao ka bërë thirrje për reagim përpara sfidës së radhës kundër Uzbekistanit.

Anësori i Juventusit u ndal fillimisht te rëndësia e Cristiano Ronaldos në kombëtare, duke e cilësuar kapitenin portugez si një shembull unik për të gjithë skuadrën.

“Kur bëhet fjalë për shënimin e golave, nuk ka askënd si ai”, deklaroi Conceiçao për mediat portugeze. Megjithatë, ai theksoi se loja e ekipit nuk është e ndërtuar ekskluzivisht rreth Ronaldos.

“Unë ia pasoj topin kujtdo që është në pozicionin më të mirë. Nuk jemi të detyruar ta kërkojmë gjithmonë Cristianon. Gjithçka ndodh instinktivisht, në pak milisekonda”, u shpreh futbollisti portugez.

Conceiçao vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe mentalitetin fitues të CR7, pavarësisht suksesit që ka arritur gjatë karrierës.

“Ai është një shembull për gjithçka që ka arritur dhe për urinë që vazhdon të tregojë çdo ditë. Nëse ai, që ka fituar kaq shumë, vazhdon të ketë këtë dëshirë, atëherë e jona duhet të jetë edhe më e madhe”, shtoi ai.

Në lidhje me kundërshtarin e radhës, Uzbekistanin e drejtuar nga Fabio Cannavaro, Conceiçao tregoi respekt për legjendën italiane, por paralajmëroi se Portugalia pret një ndeshje të vështirë.

“Nuk kemi folur shumë për të, por e di që ka qenë një futbollist i madh, një legjendë. Njoh mirë trajnerët italianë dhe e di se strategjia e tyre është të vonojnë sa më shumë golin e kundërshtarit. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që na presin”, përfundoi ai.

Portugalia synon të rikthehet te fitorja përballë Uzbekistanit, në një ndeshje ku tre pikët konsiderohen të domosdoshme për të shmangur komplikimet në rrugëtimin drejt fazës së ardhshme të Botërorit.