Në New York të SHBA-se u organizua nga BID GROUP ONE, një institucion lider global për vlerësimin e bizneseve, Samiti Ndërkombëtar i Cilësisë, me fokus akordimin e çmimeve ndërkombëtare për kompanitë më të suksesshme nga e gjithë bota në fushën e cilësisë dhe ekselencës në praktikat e biznesit.
Në këtë Samit Biznesi ishin përzgjedhur rreth 80 kompani të sektorëve të ndryshëm të industrisë dhe ekonomisë nga 60 vende të botës, të cilat u vlerësuan me çmime sipas kategorive përkatëse.
Posta Shqiptare, e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Majlind Lazimi, ishte ndër 10 kompanitë kryesore të cilat garonin në kategorinë superiore "Diamond".
Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë Gala për ndarjen e çmimeve, Lazimi shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për vlerësimin maksimal që i është bërë performancës së Postës Shqiptare si një kompani lider në shërbimet e saj postare dhe financiare.
"Ky çmim, shtoi Lazimi, do të jetë një motivim akoma më i madh për gjithë stafin manaxhues të Postës Shqiptare për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve ndaj klientëve dhe zgjerimin e gamës së tyre përmes nisjes së projekteve të reja në fushën e teknokogjisë dhe inovacionit". /atsh/