Drejtuesit e Festivalit DokuFest, Eroll Bilibani dhe Veton Nurkollari kanë pranuar sot çmimin për "Identitetin më të mirë të festivalit" në Festivalin Ndërkombëtar të filmit Dokumentar në Jihlava të Republikës Çeke.

Sipas KosovaPress, për posterin e DokuFest është kujdesur Daniel Mulloy, i cili është edhe fitues i çmimit British Academy Award.

Në edicionin e 13-të tema e DokuFest-it ishte NDRYSHO dhe Mulloy ka punuar me imazhet e protestave paqësore të fotografuara nga fotografi kosovar Jetmir Idrizi në rrugët dhe shtëpitë kosovare. Ai pastaj, i kombinoi ato me fotografi të forcave ushtarake, duke krijuar një tension mes ideve të perceptuara të fuqisë dhe dobësisë dhe në mes të atyre që kanë pushtet dhe atyre që nuk e kanë. Ky poster u prit mirë si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera.

"Jam shumë i lumtur për çmimin dhe për imazhin pozitiv që DokuFest dhe Kosova po marrin ndërkombëtarisht. Ky poster i dedikohet forcës së heshtur të qytetarëve, guximi i të cilëve mbetet i panjohur përderisa ata vazhdojnë të luftojnë për ndryshim", tha Daniel Mulloy.