KORCE- Voskopoja vazhdon ta ruajë potencialin e saj turistik. Fshati i cili në vetvete ka të ndërthurur vlerat historike, kulturore dhe bukuritë natyrore, çdo ditë e më tepër tërheq vizitorët vendas dhe të huaj.
 
Të organizuar në grupime të ndryshme, familjare, shoqërore, por edhe individualisht, turistët zgjedhin të vizitojnë edhe fshatin malor për klimën e freskët dhe vlerat e tij.
 
Kreu i komunës Voskopojë tha se çdo ditë e më tepër kjo perlë tërheq turistët e huaj ku përveç atyre që ndalen për pak, ka nga ata që kalojnë ditët e tyre të pushimeve duke zëvendësuar bregdetin me klimën malore që të mbush mushkëritë e të kënaq syrin.
 
Ndërkaq ai ka ngritur shqetësimin se problemet infrastrukturore, por edhe moti i papërshtatshëm kanë ulur numrin e turistëve.
 
Përveç të huajve, fshatit nuk i mungojnë as pushuesit nga kryeqyteti apo qytete e mëdha si Durrësi e Elbasani, ndërsa të pandarë janë qytetarët e Korçës. Ata tashmë e kanë kuptuar rëndësinë e saj dhe do të krenohen me të, sepse Voskopoja mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e Kulturës Ballkanike dhe Europiane.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)