PPE, Basha: Mazhoranca sulmon
institucionet, rrezik për statusin

PPE, Basha: Mazhoranca sulmon<br />institucionet, rrezik për statusin
BRUKSEL - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në konferencën e katërt “Ballkani Perëndimor: Nga Stabilizimi në Anëtarësim“, organizuar në Bruksel nga grupi parlamentar i PPE-së, në Parlamentin Europian.
 
Në këtë konferencë, liderë politikë nga vendet e rajonit kanë diskutuar me eurodeputët për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e secilit vend për anëtarësim në BE.
 
Në fjalën e tij kreu i PD-së Basha ka shprehur mbështetjen e opozitës për procesin e integrimit të vendit, por shtoi se ky proces është vënë në rrezik serioz, sipas tij i kapjes së institucioneve të pavarura nga qeveria aktuale.
 
“Ishte një rast shumë i mirë për të përforcuar qëndrimin tonë në mbështetje të plotë të statusit kandidat për Shqipërinë. Ka akoma shumë paqartësi, ka akoma shumë skepticizëm në këtë drejtim, ndaj dhe puna jonë nuk ka reshtur si opozitë e vendit për t’i dhënë mbështetje maksimale këtij hapi kaq të rëndësishëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por puna jonë është bërë gjithmonë e më vështirë, pasi skepticizmit në Bruksel qeveria i ka shërbyer përmes një ofensive të re ndaj institucioneve të pavarura.” tha në fjalën e tij Basha.
 
Kreu i opozitës vijoi më tej akuzat ndaj punës së mazhorancës duke thënë se negociatat me BE do të mundësonin ruajtjen dhe njëkohësisht edhe rritjen e mëtejshme të standardeve të institucioneve.
 
“Fatkeqësisht kemi një rinovim të sulmeve ndaj institucioneve kushtetuese, siç është Presidenti i Republikës, të cilat vazhdojnë edhe këtë javë, me përpjekjen tashmë të bërë publike të mazhorancës për t’i hequr kompetencat kushtetuese dhe ligjore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Hapja e negociatave, do të jetë një mundësi e shtuar që Bashkimi Europian, por edhe opozita shqiptare të vënë para përgjegjësisë institucionet e vendit për të mos zhbërë standardet e arritura, siç po bëjnë sot e gjithë ditën, por për t’i ruajtur ato dhe për t’i avancuar si e vetmja rrugë për të përfunduar me sukses integrimin e vendit në Bashkimit Europian.” u shpreh Lulzim Basha.

Ndërkohë Kryetar i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, u shpreh se shpreson që vendi ynë të marrë statusin në qershor, por theksoi se kjo mund të arrihet vetëm përmes plotësimit të kushteve të vendosura nga BE, ndër të cilat edhe konsensusi politik.
 
“Më besoni, ne të gjithë urojmë, që Shqipëria ta marrë këtë status dhe shpresoj që kjo të ndodhë. Por, është shumë e rëndësishme që vendi të arrijë atë që i është kërkuar nga samiti i dhjetorit, që ka të bëjë me krijimin e një rekordi arritjesh në reformat kyçe të integrimit. Pa një politikë konsensuale, pa vendosur një vijimësi të një situate politike të qetë, stabile e të qëndrueshme e konsensuale nuk ka hapa përpara për status dhe ecjen e mëtejshme me integrimin e vendit.” tha Eduard Kukan.

ppe
(Në foto Kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan gjatë konferencës së PPE) 

Ndërkaq drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Jean Eric Paquet, u shpreh se vendimi për statusin e vendit kandidat do të merret në bazë të raportit të KE lidhur me reformat e arritura në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
 
“Diskutimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë do të jetë në tryezën e liderëve europianë në qershor. Shtetet anëtare duhet të marrin një vendim për statusin bazuar në raportin e Komisionit Europian, lidhur me luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe reformimit të gjyqësorit.” tha Paquet.
 
Ndërsa Riçardo Migliori, këshilltar i  posaçëm i OSBE-së, vlerësoi zgjedhjet e 23 qershorit si një hap i rëndësishëm që Shqipëria ka bërë për marrjen e statusit.
 
“E kam thënë disa herë, që në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje edhe më demokratike se në vetë SHBA-të dhe është meritë e Partisë Demokratike që ky element themelor i demokracisë sot është një model”. U shpreh Riçardo Migliori.

basha ne ppe
(Në foto Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë takimit me eurodeputetë)  

Kryetar i Grupit të PPE-së në Parlamentin Europian dhe President i PPE-sëJoseph Daul ka ofruar mbështetjen e te djathtës europiane për anëtarësimin e rajonit në BE.
 
“E  ardhmja e rajonit  është në BE. Sllovenia dhe Kroacia janë shembuj të mirë edhe pse ka dhjetë vjet diferencë midis anëtarësimeve të tyre. Një shembull tjetër i rëndësishëm është marrëveshja e 19 prillit midis Serbisë dhe Kosovës, që mbyll një nga kapitujt më të komplikuar në kolapsin e Jugosllavisë, duke i hapur rrugën integrimit europian të këtyre dy vendeve.” u shpreh Daul.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

SKEDA /  Zihni Shahu ish-kryetar i Gjykatës së Elbasanit, emri i tij ka dalë nga hetimet e thelluara të përgjimeve të dosjes SKY ECC

SKEDA / Zihni Shahu ish-kryetar i Gjykatës së Elbasanit, emri i tij ka dalë nga hetimet e thelluara të përgjimeve të dosjes SKY ECC