TIRANË- Financimi i brendshëm në pr/buxhetin e vitit 2015 të Ministrisë së Drejtësisë është 13.7% më i lartë se në buxhetin e vitit 2014.
Kështu deklaroi të mërkurën, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, duke diskutuar për pr/buxhetin e Ministrisë që ai drejton para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriu, në vazhdën e diskutimeve mbi pr/buxhetin 2015.
"Sigurisht, tha Naço, që qeveria shqiptare është e angazhuar dhe për vitin 2015 ka një plan dhe një program ambicioz në lidhje me projekt-buxhetin. Ajo që mund t'ju them në vija të përgjithshme është se rritja krahasuar me vitin 2014, e financimit të brendshëm është 13.7 për qind më e madhe".
Sipas Naços, ky projekt-buxhet është ambicioz. "Rritja është e konsiderueshme, pavarësisht nga nevojat që ne kemi dhe nevojat më të mëdha kanë qenë për sistemin penitenciar, për të cilin çdo vit nga buxheti i shtetit jepen shuma të konsiderueshme. Janë kërkuar për t'u hapur edhe disa burgje të reja, të cilat kanë vite që janë financuar me projekte të BE-së dhe një pjesë e financimit ka qenë nga buxheti i shtetit. Me këtë projekt-buxhet ne themi se i plotësojmë nevojat", tha ministri Naço.
Gjatë raportimit ai e vuri theksin edhe në vendosmërinë e politikave që po ndërmerr institucioni që ai drejton, në kuadër të modernizimit dhe dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë në tërësi. /ATSH/