TIRANE- Liberalizohet e drejta e pronësisë mbi armët. Projektligji i miratuar nga qeveria dhe që është futur në punimet parlamentare parashikon një liberalizim të së drejtës së pronësisë mbi armët por duke u plotësuar disa kritere. Krahas kësaj, është parashikuar se armët të tipit pistoletë, pistoletë gjysmëautomatike, armët e ftohta të kenë të shënuar në trupi ne tyre shenjën AL për të identifikuar se janë në përdorim brenda Shqipërisë.

Sipas relacionit që i është bashkangjitur projektligjit thuhet se: “Ky draft merr përsipër që për herë të parë të liberalizojë të drejtën e pronësisë mbi armët, duke materializuar kështu veprimtarinë e tregtisë, të importit/eksportit për armë të kategorisë B, C dhe D dhe përdorimin për herë të parë të sistemit të vulosjes së armëve me siglën AL kur ato futen përfundimisht në Republikën e Shqipërisë.”