TIRANE - Opozita ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin për armët duke e quajtur të pakuptimtë mbajtjen e armëve nga deputetët apo ministra.

Projektligji për pajisjen me armë të funksionarë të lartë dhe qytetarëve, i cili u diskutua dhe u miratua në parim në Komisionin e Ligjeve u shoqërua me polemika mes socialistëve dhe demokratëve. Pr/ligji parashikon të armatosë deputetët, ministra, zv/ministra, prefektë dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë. Pr/ligji u miratua në parim vetëm nga votat e maxhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Të martën nis diskutimi nen për nen. 

Projektligji “Për armët” synon të rregullojë kushtet për blerjen, mbajtjen, prodhimin, tregtimin, shitjen, transportimin e importimin e armëve dhe municioneve brenda territorit shqiptar, si dhe eksportimin e tyre jashtë vendit. Zv/ministri i Brendshëm Arben Ristani i cili  mbrojti draftin para deputetëve  tha se projektligji përcakton personat që mund të mbajnë armë.

Debati u përqëndrua në kapitullin i cili lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga Policia e Shtetit.

Ligji thotë se personat që duhet të mbajnë armë janë deputetët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë. Këtu ka nisur dhe polemila e deputetëve të PS-së.

REPLIKA, XHAFAJ: CFARE U DUHET ARMA, PALOKA: ZYRTARET PO VRITEN ME ARMEN E KRIMINELEVE

“Për çfarë u duhen armët deputetëve, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?” - ka thënë deputeti socialist Fatmir Xhafaj, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit të Ligjeve.
Në përgjigje, Ristani tha se është bërë vlerësimi dhe kësaj kategorie i duhet arma. Sipas tij pajisja me armë e kësaj kategorie zyrtarësh është praktikë e mirë dhe ka qenë edhe në qeverisjen socialiste. Ndërsa drejtori juridik në Ministrinë e Brendshme tha se “Është parë e asyeshme që kjo kategori zyrtarësh të pajiset me armë".

Në replikë deputeti demokrat, Edi Paloka tha: "Kur sot po vriten qytetarë me armët e policëve, ne u hapim mundësi të mbajnë dhe të tjerë. Nuk e di Xhafa ka menduar t’iu heqim policëve armët, që nxorri këtë argument. Në fakt janë policët që po vriten me armët e kriminelëve dhe jo me armët e zyrtarëve. Janë zyrtarët që po vriten me armët e kriminelëve.

Gjithashtu Majko ngriti shqetësimin se mos me këtë pr/ligj po pajisen persona të inkriminuar. “Cilido që ka shoqëri tregtare dhe disponon 20 milionë lekë të reja mund të marrë armë a mos po pajisim dhe persona të inkriminuar? Ngriti pyetjen deputeti socialist.

NOKA: NE SHKURTUAM LISTEN E PERSONAVE QE MBAJNE ARME

Duke komentuar pr/ligjin e armëve në Komisionin e Sigurisë ministri i Brendshëm Flamur Noka tha se ”Ne kemi shkurtuar listën e personave që mbajnë armë. Këtë kemi bërë ne. Sa i takon ligjit nuk është hartuar sot ne thjesht e kemi përmirësuar”

DEBATI I ZBARDHUR NE KOMISION
Xhafaj:
Çfarë logjike është kjo në një vend një kategori e caktuar, duhet të ketë armë në xhep dhe ai qytetar që është i kërcënuar çdo ditë duhet të ketë ndërsa këta një kategori e veçantë duhet të kenë? Deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të kenë pisqollë! Një pjesë pisqollë nga koka një pjesë në xhep.
Ristani: Edhe juve kur keni qenë ministër keni pasur armë.
Shehu:
Unë jam krejtësisht kundër kërkesës populiste që bëhen këtu për deputetët, ministrat. Unë për veten time s’kam mbajtur ndonjëherë armë. As kur të tjerët kanë pas mitraloza në kurriz.
Paloka: Nuk kuptova argumentat e z. Xhafa kur tha sot po vriten qytetarë me armët e policëve. Ne ju hapim mundësi të mbajnë dhe të tjerë. Nuk e di Xhafa ka menduar t’iu heqim policëve armët, që nxorri këtë argument. Në fakt janë policët që po vriten me armët e kriminelëve dhe jo me armët e zyrtarëve. Janë zyrtarët që po vriten me armët e kriminelëve.
Majko: Me këtë ligj ne shtojmë në kategorinë e njerëzve që mbajnë armë, me leje nga shteti edhe subjektet private. Në nenin 18 pika "E" të drejtën e armës e kanë ta mbajnë me lejen e shtetit drejtuesit dhe ortakët e shoqërive tregtare, zyra qendrore e të cilëve ndodhet në Shqipëri kur shoqëria zotëron jo më pak se 50 milionë lekë.

PR/LIGJI I ARMEVE
Drafti me 37 nene, ka qëllim përafrimin me direktivën e BE-së, "Për kontrollin e blerjeve dhe posedimit të armëve". Në nenin 20 i njeh të drejtën e mbajtjes së armës edhe autoriteteve të huaja, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe parimit të reciprocitetit, ku bëjnë pjesë diplomatët e huaj, nëpunës të konsullatave, punonjës të misioneve ushtarake në Shqipëri.

Drafti i ri do të ndryshojë atë të  vitit 1992 i cili u ndryshua disa herë deri në 2009. Neni 18 parashikon funksionarët që mbajnë armë. Listës së deputetëve, ministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, i janë shtuar zv.ministrat, prefektët, si dhe drejtues të shoqërive tregtare që kanë kapital jo më pak se 50 milionë lekë.
(sg/shqiptarja.com)