ELBASAN - Kryetari i PR Fatmir Mediu ka prezantuar Luan Duzha si kandidatin e parë të forcës së tij politike për Elbasanin. Në aktivin e PR në Elbasan Mediu deklaroi se 23 qershori është dita e të ardhmes evropiane të shqiptarëve. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e plotë të të djathtëve në zgjedhjet politike të qershorit për të mundësuar jetësimin e kësaj të ardhmeje për vendin.

"Elbasani ka 15 mijë vota që janë dhënë nga partitë aleate dhe nga këto rreth 3500 janë të Partisë Republikane. Në Fier janë 17 mijë, në Tiranë janë 22 mijë vota, në Shkodër janë 13 mijë, në Vlorë janë 11 mijë, në Durrës janë 14 mijë vota, pra, tregon që në të gjitha qarqet këto parti dhe këto votues, këta njerëz dhe individë kanë pasur një vlerë të shtuar për këtë koalicion.

A e dinë që nëse ky koalicion në Elbasan merr 1500 vota më pak deputeti i shtatë i kalon së majtës. Ky duhet të jetë një reflektim i thellë, jo vetëm aritmetik, jo thjesht elektoral, por në radhë të parë njerëzor për të përcaktuar njerëzit më të mirë për të konkuruar, për të bashkëpunuar si e djathtë jo në interesa të ngushta por në interesa të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë", deklaroi Mediu.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)