TIRANE- Një pjesë e fëmijëve të cilët kanë prindër të sëmurë apo janë vetë me probleme shëndetësore kanë të drejtën të shkojnë në kopshte apo çerdhe pa pagesë ditore. Një projektvendimin e fundit të hartuat nga Bashkia e Tiranës parashikohen një sërë kategorish të cilat përjashtohen nga kjo pagesë dhe kryesisht janë familjet në nevojë.

“Përjashtohen nga pagesa duke përfituar shërbim pa pagesë fëmijët e familjeve ku kryefamiljari është me paaftësi fizike ose mendore sipas raportit të komisionit ligjor. po kështu edhe fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike” thuhet në projektvendimin e bashkisë i cili pritet të miratohet javën e ardhshme.

Ndërkohë që përfitues të tjerë janë edhe fëmijë të familjeve ku kryefamiljare është një grua e ve, familjet ku kryefamiljare është një grua e divorcuar por që ka të ardhura nën pagesën minimale. “Kategori tjetër janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda (sëmundje gjaku, sëmundje të brendshme), sipas raportit të Komisioni Ligjor” parashikon pr/vendimi.

Por edhe ato vajza të cilat janë bërë nëna në kushte të tjera, por që kanë vendosur të mbajnë fëmijën dhe ta rrisin kanë të drejtë që ta dërgojnë në kopsht përkundrejt asnjë pagese mujore apo ditore. Sipas relacionit të këtij pr/vendimi këto familje përjashtohen nga pagesa në mënyrë që edhe kategoritë në nevojë të kenë mundësi arsimimi të fëmijëve të tyre.
 
Fëmijët që përfitojnë kopsht dhe çerdhe pa pagesë
-Fëmijë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda (sëmundje gjaku, sëmundje të brendshme), sipas raportit të Komisioni Ligjor.
-Fëmijë të vajzave- nëna, sipas statusit të regjistrit të Gjendjes Civile.
-Fëmijë të familjeve ku kryefamiljare është një grua e ve, familjet ku kryefamiljare është një grua e divorcuar por që ka të ardhura nën pagesën minimale. 
-Fëmijë të familjeve ku kryefamiljari është me paaftësi fizike ose mendore sipas raportit të komisionit ligjor
-fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)