GREQI- Gazetari grek, Kostas Vaxevanis është arrestuar gjatë ditës së sotme, për faktin se ka publikuar listën e të dyshuarve për evazion fiskal. Në këtë listë misterioze përfshihen 2059 emra që kishin depozituar në llogari bankare në Zvicër dy miliardë dollarë, mes të cilëve dhe funskionarë të lartë politikë, (duke përfshirë një këshilltar i Kryeministrit, Antonis Samaras, tre ish-ministra dhe shumë biznesmenë). Arrestimi i gazetarit investigativ erdhi, pasi një ditë më parë publikoi në revistën “Hot Doc” të ashtuquajturën "Lista Lagarde". Depozitat nuk justifikoheshin prej të ardhurave individuale ndaj llogaritë e shumicës prej tyre u mbyllën sapo banka i informoi se të dhënat kishin rrjedhur nga sistemi. Në orët e para të mëngjesit, Vaxevanis shkroi në rrjetin social se afro 15 policë janë para banesës së tij. "Le të vijnë dhe të më arrestojnë si bashkëpunëtor me gjermanët. Tani janë duke ardhur me një prokuror. Po më arrestojnë", shkroi ai. Një zyrtar i policisë tha për median se prokurorët lëshuan një urdhër arresti për Vaxevanis për shkak se ai ka publikuar një listë me emra pa një leje të posaçme duke shkelur ligjet për të ardhurat personale dhe shkeljen e privatësisë. Lista ishte shpërndarë dy vite më parë tek autoritetet nga Christine Lagarde, në kohën kur ishte ministre franceze e Financave dhe sot numri një i FMN-së.

HISTORIA E LISTES LAGARDE

Historia e “Listës Lagarde” është një metaforë e fuqishme për problemet e Greqisë. Lista është pjesë e mijërave emra mbajtësish të llogarive zviceriane të HSBC të “vjedhura” nga bankieri Herve Falciani nga sistemet kompjuterike të HSBC dhe të blera nga Gjermani për të luftuar evazionin fiskal.
Dokumenti u është dërguar më pas të gjithëve kancelarëve europianë dhe Lagarde mori detyrën që t’ia çonte Greqisë, duke bërë një takim me ish-ministrin e Financave George Papaconstantinou.
Papaconstantinou (pasi pa që në listë ishin shumë emra të ministrisë së tij, thonë gojë e këqija) bllokoi publikimin në pritje për të marrë viston nga avokatët për të shmangur problemet me jetën private dhe e dërgoi një kopje të diskut skuadrës së anti-mashtrimit e udhëhequr nga Yannis Kapeleris.
Ministri e kaloi në duart e Kapeleris dhe ai mendoj se me këtë çështje duhet të merrej ekzekutivi.
Lista krejt papritur është zhdukur për 2 vjet, deri kur Evangelis Venizelos, ish-ministri i Financave pas Papaconstantinou dhe lideri i socialistëve të PASOK, i vënë nën presion nga trashëgimtari i tij Yannis Stournaras, ka pranuar ekzistencën e listës, duke pranuar se përmbajtja e saj kishte humbur.

“Hot Doc” publikoi listën, duke saktësuar me korrektësi se të kishe një llogari në një bankë zviceriane nuk do të thotë automatikisht që të jetë një evazion fiskal. Ndër emrat është ai i Stavros Stavropoulos, këshilltar i afërt i Samaras, 2 ish-minitra të Demokracisë së Re, njëri prej të cilëve kreu vetëvrasje ditët e fundit pas thashethemeve të para në lidhje me rolin e tij. Askush nuk ka konfirmuar apo mohuar saktësinë e artikullit. Ekipet e anti-mashtrimit për momentin nuk kanë lëvizur as gishtin. Qeveria nuk ka sugjeruar të paktën as një debat parlamentar mbi listën. Në rrezik është vetëm Vaxevanis, autori i lajmit, i cili në Twitter këtë mëngjes ka raportuar praninë e 15 policëve jashtë derës së shtëpisë së tij.

(eç/Shqiptarja.com)