ROME / ELBASAN - Një operacion i përbashkët i Interpol Tiranës dhe Romës në bashkëpunim me policinë shqiptare ka bërë të mundur  arrestimin në Elbasan të Gazmor Haxhillarit, të akuzuar për vrasjen e një prifti në Itali, dhjetorin e kaluar.

Gazmor Haxhillari nga Cërriku u arrestua mbrëmë në Elbasan, ndërsa i vëllai i tij Bledar dhe bashkëpunëtori i tretë Fation Kraja u arrestuan në Itali.

Dom Mario Del Becaro është goditur për vdekje me grushta nga disa persona të cilët kishin hyrë për të grabitur famullinë ku prifti jetonte i vetëm. Krimi ndodhi në dhjetor 2012 afer Pistoia.

Arrestimi i Gazmor Haxhillarit u krye në orët e vona të mbrëmjes dhe policia shqiptare deri tani nuk ka dhënë shumë detaje. Mësohet se Gazmori dyshohet se është autori kryesor i këtij krimi.

VRASJA E PRIFTIT PER TA GRABITUR

Ngjarja ndodhi në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, kur prifti 63 vjeçar Don Mario Del Becaro u rrah deri në vdekje, në famullinë ku jetonte i vetëm. Pas ngjarjes mjeku ligjor arriti në përfundimin se prifti ishte torturuar.  Dyshohet se vrasjen e ka kryer Gazmori, ndërsa vëlla i tij Bledar si dhe Fatjon Kraja ishin bashkëpunëtorë.

AUTOPSIA: PRIFTI U MASAKRUA

Eksperti mjeko ligjor ka konkluduar se prifti 63 vjeçar është masakruar. Dom Mario është mbytur nga një kordon i përdorur për ta mbajtur të palëvizur dhe nga copa me të cilën i është mbyllur goja, ndërsa agresorët largoheshin pasi kishin marrë çfarë kishte brenda në kasafortë, dhe makinën e tij e cila më pas u gjet përpara Kishës së San Bartolomeo në Tizzana, në Pistoia.

ISHTE KËRCENUAR DISA HERE

Kufoma e priftit u zbulua nga një patrullë policore mbrëmjen e 29 dhjetorit. Dom Mario kishte kërkuar ndihmën e policisë duke denoncuar kërcënimet ndaj tij. Madje më 18 dhjetor mediat italiane shkruajnë dhe për arrestimin e një personi. Kështu çdo mbrëmje policia kontrollonte zonën, Mbrëmjen e 29 dhjetorit ato kishin gjetur derën hapur derën dhe pas kontrollit, trupi i pajetë u gjet në bodrumin e Famullisë.

DEKLARATA PER SHTYP E POLICISE SE SHTETIT ORA 13:00

Nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, forcat speciale RENEA, si dhe Misionin INTERFORZE të Policisë Italiane në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “PISTOIA”, u bë i mundur arrestimi i shtetasit:
- Gazmor Bashkim Haxhillari, vjeç 35, banues në Cërrik.
Ky shtetas akuzohet se më datë 12 dhjetor 2012, në Komunën Quarrata të Pistojës në shtetin Italian, bashkëpunim me shtetasit Bledar Haxhillari dhe Fatjon Kraja, ka vrarë Priftin e Kishës Tizzana e Catena, don Mario del Becaro.
I arrestuari Gazmor Haxhillari ka një sërë precedentësh të rëndë kriminal për veprat penale të vjedhjes dhe grabitjes të kryera në shtetin Italian.
Operacioni, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i këtij shtetasi, është zhvilluar njëkohësisht në Shqipëri dhe në Itali nga shërbimet policore të të dy vendeve, duke bërë të mundur arrestimin e të tre autorëve të këtij krimit të rëndë.
Për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur në shtetin Italian, nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, është bashkëpunuar ngushtë dhe shkëmbyer informacion i vazhdueshëm me Misionin Italian INTERFORZE dhe autoritetet policore italiane.
Në këtë kuadër janë kryer verifikime për një periudhë rreth 2 mujore në qytetet e Elbasanit dhe Durrësit, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë të autorësisë së saj, si dhe kapjen e tre autorëve të këtij krimi.
Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni dëshmon edhe një herë më së miri nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)