TIRANE- Me flokë të zgjatur e të lyer bjond, përveçse një shkrehje pistolete në ajër dhe një frazë të tipit “Ju lumtë që më kapët, po vetëm në Greqi mos më dërgoni prapë”, Ilir Kupës s’i mbetej gjë tjetër veçse të dorëzohej. I arratisuri nga burgu i Trikallës në Greqi, dyshohet se ka marrë pjesë në disa grabitje në Tiranë mes të cilave edhe atë të ndodhur në TEG nga pesë "babagjyshë".

GJETJA E VENDONDODHJES, POLICIA NDOQI GRUAN E KUPES
Nisja e 25-vjeçares nga Athina, ku pat jetuar me të shoqin, Ilirin, njërin nga të arratisurit prej burgjeve greke, ishte shkaku që 27-vjeçari të ndiqej dhe më pas arrestohej dje në kryeqytetin shqiptar. Kur kryepolici grek Nikolaos Papagianopoulos erdhi më 14 dhjetor në Tiranë, u’a përcolli porosinë tanëve, duke u dhënë detaje rreth vendndodhjes së mundshme të njërit prej personave që grekët e akuzojnë për vrasje, grabitje, etj.

Në mbikalimin e Rinasit, Ilir Kupa mendohet se ishte në shoqërinë e Fatjon Sulës, (i arratisur nga burgjet greke) dhe një personi tjetër, për “kokën” e të cilëve Policia e Tiranës ofroi dje zyrtarisht 10 mijë euro shpërblim.

KERKESA E KUPES PER POLICINE SHQIPTARE
Me flokë të zgjatur e të lyer bjond, përveçse një shkrehje pistolete në ajër dhe një frazë të tipit “Ju lumtë që më kapët, po vetëm në Greqi mos më dërgoni prapë”, Kupës s’i mbetej gjë tjetër veçse të dorëzohej në orën 01.10, kur u ndodh përballë policisë. Dy pistoleta “Bereta”, një armë “Glok” dhe 3 krëhëra me fishekë u gjetën në makinën tip “Alfa Romeo”, ngjyrë blu, me targa franceze. Dy të tjerët, ku njëri dyshohet të jetë Sula, mendohet se fshihen në zonat përreth Kasharit, ndaj Policia e Tiranës njofton ata që kanë dijeni të telefonojnë në numrin 0694102392, përkundrejt 10 mijë eurove dhe ruajtjes së anonimatit.

TAHIRI: KUPA DYSHOHET SI NJE NGA BABAGJYSHET E TEG
Vetë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e përhapi hapësirën e hetimeve tek disa grabitje me armë, teksa “vulosi” një medalje në gjoksin e specialëve të policisë. Kupa dyshohet se me ora, varëse e byzylykë që vlenin 410 mijë dollarë, të grabitur në argjendarinë “Xhelozia”, me pronar A.Xh, në TEG, ishte mes “4 babagjyshëve” që janë zhdukur pa lënë gjurmë që më 24 dhjetor të vitit të kaluar. Gjatë seancave të para pyetësore, mësohet se dje në Policinë e Tiranës, Kupa pranoi se ishte implikuar në disa grabitje, pa përcaktuar vendet konkrete, vetëm që të dënohet në Shqipëri, me qëllim mosekstradimin e tij në Greqi.

Duket se në këtë pikë Kupa po tregohet i mençur, pasi sipas pikës c të nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të jepet ekstradimi kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri. Mirëpo, duket se kërkesa e kryepolicit grek për t’ia dorëzuar Greqisë shqiptarët e rrezikshmëm, kishte pikërisht këtë qëllim: Sjelljen e Kupës në tokën ku ka kryer krimet. Me këtë qëllim, pala greke ndoqi veprimet e familjarëve të Kupës, qëkur humbi gjurmët në Igumenicë, nëntorin e kaluar, ndërsa bashkëshortja 25-vjeçare e tij vijonte të jetonte në Greqi. Të premten e kaluar ajo u nis nga shteti grek dhe policia u’a përcolli tanëve këtë informacion.

Nga Fushë-Kruja, Kupa lëvizte për në Kashar, me makinën e tij, ndërsa dyshohet se këto 6 muaj ka kryer edhe grabitje të tjera në Tiranë, përveçse atë në TEG. Oficerë grekë u nisën dje në Tiranë, për ta pyetur Kupën rreth skemës së arratisjes nga burgu i Trikallasë. Nga deklarimet e tij në polici priten të sqarohen episodet për të cilat ai akuzohet në Shqipëri e Greqi.
 
ARRATISJA NGA BURGU I TRIKALLES, DETAJE
1. Më 23 mars 2013, 11 shqiptarë organizojnë arratisjen nga burgu i Trikalasë në Greqi. Arratisja u mundësua nga Flamur Sinani që ishte personi kyç. Rojet u morën peng dhe shqiptarët mundën të arratiseshin.
 
2.Më 30 mars 2013, grekja 25-vjeçare Katerina Zogali, u qëllua me armë,  gjatë shkëmbimit të zjarrit të Marian Kolës dhe të arratisurve të tjerë me policinë, teksa makinat ishin në ndjekje e sipër. 
 
 3.Në muajin maj të vitit 2013, Ilir Kupa dhe Marian Kola ishin gjithashtu përgjegjës për marrjen e 1.000.000 eurove nga një bankë greke. Gjithsej ata kanë qenë të lidhura me 69 plaçkitje.
 
4.Gjatë qershorit, Klement Cala mbajti peng disa banorë në një fshat dhe grabiti një market, duke kryer një plagosje. Pesë protagonistët e ngjarjes janë pjesë e të arratisurve nga burgu i Trikalasë. 
 
5.Në 17 qershor 2013, punonjësi i policisë, 37-vjeçari Jorgo Andritsopulu, u vra në Greqi, në vendin e quajtur Distomu, ku u akuzua Marian Kola dhe Ilir Kupa, por që ende policia po heton.
 
6.Më 2 korrik, policia qëlloi dhe vrau një tjetër të arratisur. Policia e identifikoi personin e parë me anë të shenjave të gishtërinjve, si Edison Lika, 25 vjeç. Tjetri ishte xhaxhai i tij Kujtim Lika.
 
7.Gushtin e 2013-ës u panë për herë të fundit gjurmë të Kupës në Greqi. Prej asaj kohe kohe, dyshohet se kaloi në Shqipëri, ku u kap dje në Tiranë. Në kërkim dyshohet se është 31-vjeçari Fatjon Sula.
 
Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(ac/shqiptarja.com
)