VLORE - Qyteti i Vlorës prej vitesh është njohur si një qytet problemtik përsa i përket sigurisë dhe rendit dhe kjo sidomos në sezonin veror, atëherë kur qyteti mbipopullohet me emigrantë dhe të huaj, midis tyre edhe persona me precedentë penal. Por mesa duket muajt e fundit forcimi i masave të ndërmarra nga efektivët e policisë kanë përmirësuar jetën e qytetit të Vlorës.

Lidhur me këtë problem, në komunikimin e tij të përjavshëm me median, ka folur Prefekti Eduard Vecani, sipas të cilit nga të dhënat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rezulton se masat e vazhdueshme në përforcimin e rendit, kanë rritur edhe sigurinë në qytetin e Vlorës. “Parametrat e sigurisë në qytet janë në një nivel normal”, tha ai.

Sipas Prefektit, këto masa kanë rritur ndjeshëm sigurinë e qytetit dhe deri më tani Vlora ka pasur një jetë të qetë, pa problematika të theksuara që të mund të cënonin rendin. Sezoni turistik, duke qenë se sjell në qytet një numër të madh emigrantësh, behët problematik edhe përsa i përket rendit dhe qetësisë publike.

Mirëpo masat e ndërmarra – sqaron Prefekti - shtimi i efektiveve te policisë rrugore dhe forcimi i besueshmërisë dhe bashkëpunimi qytetar-efektivë policor kanë qenë shkaqet e këtij efektiviteti të punës së Komisariatit të policisë, për t’i kthyer qytetit të Vlorës qetësinë dhe rendin publik.

(im/shqiptarja.com)