Formati i ri i recetës mjekësore ka hyrë tashmë në fuqi dhe po përdoret nga të gjithë mjekët e farmacistët.

Me këtë format, krahas markës, mjekët janë të detyruar të shkruajnë edhe emrin gjenerik të ilaçit, për të bërë të mundur që farmacistët të mos abuzojnë. Kjo parandalon gjithashtu influencat që mjekët mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike.

Vetë Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale e cilëson këtë hap si një mënyrë për t’i ofruar më shumë siguri pacientëve, trajtim dhe ndjekje më të saktë për problematikat  e tyre shëndetësore dhe më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët.

“Është pozitive sepse në të janë të gjithë elementët që ne kemi dëshiruar për të qenë të saktë deri në ekzekutimin e plotë të recetës. Ka të përcaktuar saktë emrin e barit dhe dozën. Është e shkruar në principin aktiv dhe nuk lë hapësira për të gabuar”, shprehet një farmaciste.

Receta e re lehtëson edhe të sëmurët kronikë, të cilët do të pajisen me një recetë që vlen për 6 muaj, në mënyrë që të shmangin vizitat e shpeshta te mjeku.

“Risitë e kësaj recete që ka disa të dhëna për pacientin. Diagnozën akute ose kronike. Pacientët që janë kronikë paraqitet me këtë dokument dhe nuk rikthehen tek mjeku për ta marrë sërish. Çdo emër I medikamentit do të shkruhet në principin aktiv që sjell siguri për sa I përket leximit nga farmacisti, pasi ka raste kur ka tregtarë me emra të ngjashëm dhe mund të keqkuptohet.

Udhëzimi i 11 korrikut, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, sanksionon se recetat do të jenë të unifikuara si për sistemin publik ashtu edhe për atë jopublik. Në udhëzim sanksionohet gjithashtu se asnjë bar i cili është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Barnave nuk mund të jepet pa recetë nga farmacistët”, thotë një tjetër farmacist.

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara farmacisti do të duhet të shënojë barnat e tjera që i ka dhënë pacientit, sasinë e marrë dhe datën duke e firmosur edhe vulosur.

Me dokumentin e ri, pacienti mund të marrë ilaçin e munguar në një farmaci tjetër, por tashmë e ka nisur kurën pa vonesa. Farmacia duhet të mbajë një kopje të kësaj recete