FIER- Pas 6 muajve në qeli, ish-ministri i Punëve të Brendshme është transferuar nga Burgu i FierIT në Institucionin e vuajtjes së dënimit në Lushnje. Drejtoria e Burgjeve mori vendim pas kërkesës së familjarëve të Tahirit për shkak të pakënaqësive të tij në burgun e Fierit, i cili tashmë do të vijojë të vuajë pjesën e mbetur të dënimit me 3.4 vite burg, në një qeli në Lushnje.

Më 4 shkurt të këtij viti, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal".

Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit.