Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i ka dhënë dritën jeshile rezolutës që i jep fund embargos 64-vjeçare ekonomike, tregtare dhe financiare të SHBA-ve ndaj Kubës.
Rezoluta u miratua me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime. Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janinaj, abstenoi. Disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, abstenuan për herë të parë pas shumë vitesh.
Votimi në OKB ka peshë politike, por vetëm Kongresi i SHBA-së mund ta heqë embargon e epokës së Luftës së Ftohtë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e përbërë nga 193 anëtarë, e ka miratuar rezolutën çdo vit për më shumë se tre dekada, me përjashtim të vitit 2020, gjatë pandemisë së COVID-19.
“Jam i kënaqur që kaq shumë vende, përfshirë ekonomi të mëdha si Koreja, Gjermania dhe të tjera, e kanë ndryshuar tashmë qëndrimin e tyre”, u tha gazetarëve i dërguari i SHBA-v në OKB, Mike Waltz, pas votimit.
“Diplomacia kërkon kohë, por tani që numri i vendeve që kanë ndryshuar qëndrimin është trefishuar, presim që ky numër të vazhdojë të rritet”, tha ai.
Tensionet mes dy vendeve në OKB u përshkallëzuan përpara votimit. Javën e kaluar pati përplasje verbale me tone të larta mes diplomatëve kubanë dhe amerikanë në OKB, ndërsa të martën, në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, pati të bërtitura dhe shtyrje mes përfaqësuesve.







Komente
Komento