Tokat u preken nga aksi Thumanë-Kashar, banorët e Bërxullës sërish në protestë, ka tensione me policinë: Pushteti merret me shefat e FBI, ne duam çatinë mbi kokë

TIRANË- Prej afro gati 5 muajsh, banorët e Bërxullës kanë protestuar për pronat e tyre private, por pa asnjë reagim. Ditën e sotme ata bllokuan rrugën e Rinasit, patën tensione me policinë, marshuan dhe denoncuan në prononcim për mediat, problemin që ata kanë me pronat e tyre.

Prej dekadash autoktonë të banesave në Bërxullë, fshatarët e kësaj zone thonë se tokën, shteti mund t’ua marrë vetëm me gjak. Edhe gjatë protestës së tyre pak kohë më parë, nënë e bir kërcënuan se do të hidhen nga shtylla e tensionit të lartë. Në episode të tjera gjatë protestave por edhe sot, banorët janë shprehur se nuk ka pasur asnjë negociatë me ta nga ana e insititucioneve dhe se kishin përgatitur dosjen gati për në Gjykatë.

Një ndër banorët e prononcuar tha se pavarësisht se kishin trokitur në çdo derë, ajo që kanë marrë ka qenë mjaft shpërfillëse. Pronarët e tokave e gjykojnë si të pa konceptueshëm pretendimin se projekti u është shitur me 50 euro m2 ndërsa vlera e saj tashmë figuron me 4 euro m2.

“Merren me shefat e FBI-së, halli ynë është ky. Na shkatërruat. Pushtetarët bëjnë sikur nuk shohin, ku do ta gjejmë zgjidhjen? Në drejtësinë amerikane? Jo mor zotëri, ligjet zbatohen tek ne, tek të tjerët jo.

Ta harrojnë se mund të hyjnë në pronat tona, vetëm fatin e kalasë së Shkodrës do kenë, do ndërtohet ditën do prishet natën. Vetëm me gjak na i marrin banesat. Kemi 4 muaj kërkojmë bashkëbisedim dhe nuk kanë negociuar me ne.”- tha një banor.

Kujtojmë se banorët e Bërxullës janë ngritur disa herë në protestë. Më herët ato thanë se nuk janë kundër projektit, por problematika sipas tyre është te vlera e tokës dhe banesës. Sipas banorëve, rrezikohen 20 banesa nga projekti dhe qeveria nuk ka një vendim për zhvendosjen e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Banorët e Bërxullës në protestë, reagon partia e Lirisë: Stop terrorit policor ndaj protestuesve! Duhet zgjidhje kushtetuese

1675604440_autotediblushi1659962395.jpg

Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë i ka bërë thirrje qeverisë të ndalë atë që ai e cilëson si terror policer ndaj banorëve të Bërxullës. Këta të fundit në protest prej 4 muajsh në kundërshtim të projektit rrugor Thumanë-Kashar.

“Qeveria të tërhiqet nga këto akte të shëmtuara dhune ndaj lirive e të drejtave të qytetarëve dhe t'u garantojë banorëve të Bërxullës që preken nga projekti Thumanë-Kashar një zgjidhje të drejtë dhe objektive siç Kushtetuta e parashikon, me transparencë, konsultime dhe mjete demokratike!”, - përfundon Blushi, reagimin e tij, të shoqëruar me pamje nga protesta.

Ora 11:38
Banorët e Berxullës: Tokën do ta mbrojmë me gjak, askush s’ka ardhur të flasë me ne! Qeveria mbron oligarkët

 

Banorët e Bërxullës kanë dalë edhe një herë në protestë sot dhe kërkojnë që të kenë më shumë informacion se çfarë do të bëhet me pronat e tyre në gjurmën e rrugës Thumanë-Kashar. Ata shprehen të acaruar në mikrofonin e Report Tv dhe thonë se do ta mbrojnë me gjak pronën.

“Askush nuk ka ardhur të na thotë se ku kalon rruga e çfarë do të bëhet. Si mund të mos ikin shqiptarët nga këtu”, shprehet një banore.

‘Këtu po vidhet tokat hapur fare. Kujdes këta që mendojnë se mund të ndërtojnë këtu pa na pyetur. Do ta mbrojmë me gjak deri në fund të jetës. Nuk mund të vidhet e ardhmja e fëmijëve tanë për disa oligarkë hajdutë. Ne japim jetën dhe pronën nuk e lëshojmë’, thotë një tjetër banor.  

“Kjo tokë është shitur 50 euro metri katror i tokës, këta duan ta vlerësojnë 4 euro. Ligji i thotë qartë se duhet marrë mesatarja e aktit të shitjes së 3 muajve të fundit. ARRSH nuk ka sjellë shkresë, por ka sjellë këtu 2 persona që na kanë thënë se vlera e tokës nuk ndryshon se është me VKM ndërsa për shtëpitë do të merret mesatarja e 3 muajve të fundit.  Ndërkohë që ARRSH na ka thënë se nuk ështaë ajo përgjegjëse për rrugën se nuk e ndërton ajo.  Projekti e shkatërron fshatin, nuk ka as mbikalime, as nënkalime dhe asgjë. Na i ndan tokat në mes. Duhen patjetër rrugë dytësore sepse na i bën pronat të pa aksesueshme. Askush s’na ka kthyer përgjigje”, deklaron një tjetër.

Ora 11:27
Preken nga aksi Thumanë-Kashar, banorët e Bërxullës bllokojnë rrugën e Rinasit, protestuesit tensione me policinë: E shisni veten për 5 lekë

1675592881_Screenshot6.jpg

Banorët e Bërxullës janë ulur pranë automjeteve dhe kanë bllokuar rrugën e Rinasit si revoltë për banesat e tyre që preken nga aksi Thumanë-Kashar. Protestuesit janë përplasur me policinë të cilët po mundoheshin të lironin rrugën.

“Juve shishni veten për 5 lekë, këta po na vjedhin. Ne pronën do e mbrojmë me gjak.”- tha një banor.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale