ANGLI - Manchester United e ka mbyllur me fitore ndeshjen e fundit të sezonit përpara tifozëve në 'Old Trafford'. Për raundin e 37-të në Premier League, 'Djajtë e Kuq' fituan 3-2 këtë të dielë kundër Nottingham në një ndeshje me ritëm, raste dhe gola.

Ndeshja nisi me vrull nga vendasit të cilët kaluan në epërsi pas vetëm pesë minutave lojë, me golin që u shënua nga Luke Shaw, për ta mbyllur pjesën e parë në epërsi. Nisja e fraksionit të dytë solli golin e barazimit të miqve me Morato në minutën e 53-të. Ekuilibrat nuk zgjatën shumë pasi Matheus Cunha riktheu në epërsi Man. United pas vetëm dy minutave lojë, ndërsa në minutën e 76-të Mbeumo i dërgoi shifrat në 3-1 pas asistit të Bruno Fernandes.

Portugezi arrin në shifrën e 20 asisteve këtë sezon, duke barazuar rekordin e Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne. Bruno ka dhe një ndeshje të fundit në dispozicion për t'u bërë futbollisti me më shumë asiste gjatë një sezoni në historinë e Premier League.

Nottingham nuk u dorëzua dhe shënoi golin e dytë me Gibbs-White duke bërë që 12 minutat e fundit të ndeshjes të ishin plot emocione. Në fund United fitoi 3-2, teksa Casemiro luajti ndeshjen e fundit në 'Old Trafford' duke qenë se në fundin e sezonit do të largohet si lojtar i lirë pas katër viteve me fanellën e United. Ndërkohë që trajneri Michael Carrick ka arritur akordin për të rinovuar me dy vite kontratën e tij me Man. United.

Me këtë sukses dhe me vetëm një ndeshje të mbetur, United e mbyll këtë sezon në vendin e tretë, duke pasur për momentin 68 pikë. Fundjavën që vjen ekipi i Carrick do të luajë kundër Brighton në udhëtim.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?