Në fjalën e mbajtur Prençi u shpreh se vendi rrezikon të përfshihet nga tërmetet si ato të vitit 1967.
“Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm së pari do të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit 67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër , Korcë etj.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme , kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne duhet të jemi të përgatitur sepse ekziston rreziku i tërmeteve në 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca” u shpreh Prençi.
Sizmiologu Dushi:Nuk ka vend për panik,as të dhëna për alarm
Deklarata e shefit të Emergjencave Civile shkaktoi jo pak panik tek qytetarët, për shkak të rrezikut dhe kujtimeve të hidhura të tërmetit katastrofik të vitit 1967, i cili regjistroi 12 vitkima dhe afro 180 të plagosur në zonën e Elbasanit, Librazhdit dhe Dibrës.
Për të sqaruar këtë situatë Report Tv u interesua pranë Institutit të sizmiologjisë për të marrë të dhëna më të plota rreth rrezikut që na kanoset. Sizmiologu Edmond Dushi nga Instituti i Gjeoshkencës, pohoi se nuk ka vend për panik pasi situata është në kushte normale dhe nuk ka të dhëna për alarm.
“Mund të themi që është një situatë normale, vendi ynë karakterizohet nga një aktivitet i tillë. Mund të jenë dhe paralajmëruese, shpeshherë kur vihet re një shtim i mikrotërmeteve në zona të caktuara por cka nuk vihet re në territorin e Shqipërisë, këto janë tërmete sporadike që shtrihen në të gjithë territorin e vendit” u shpreh Dushi.
Sa i përket periudhave të ripërsëritjes së tërmeteve, Dushi shtoi se nuk mund të thuhet që ky vit është periudha kur do të ripërsëritet tërmeti i 1967-ës.
“Në bazë të statistikave është përcaktuar që kjo periudhë përsëritje është cdo 30-35vjet, Nuk mund të themi nëse ky vit do të jetë më aktiv apo jo në aspektin sizmik. Kjo i lihet natyrës”, shton Dushi.
Çfarë ndodhi nga tërmeti i 1967 në Shqipëri
Në Shqipëri janë regjistruar disa tërmete, por më i rëndi është ai i vitit 1967 në Librazhd dhe Dibër.
Në këtë zonë në vitin 1967 është regjistruar tërmeti me fuqi 6.6 ballë, që solli shkatërrime të mëdha.
Nga tërmeti u shkatërruan 177 fshatra, humbën jetën 12 persona dhe 174 të tjerë u plagosën.
Toka u ça në gjatësi mbi 10 kilometra, ndërsa pati zhvendosje vertikale të dheut deri në 50 centimetra.
Situata nga zjarret
Zjarret dhe pasojat e tyre ka qënë pika kyçe këtij takimi.Për kreun e emergjencave civile Shemsi Prençi zjarret mund të ishin më të paktë nëse ato s’do viheshin qëllimisht dhe strukturat e mbrojties së pyjeve përfshi dhe policit pyjore do njoftonin në kohë.
Shemsi Prençi:Temperaturat do vijojnë të jenë ekstreme, Policitë pyjore nuk raportojnë për zjarret në pyje
Kreu i Emergjencave Civile paralajmëroi se temperaturat e larta do të vijojnë të jenë të larta deri në fund të muajit.
"Deri në fund të gushtit temperaturat do të jenë ekstreme deri në 37- 40 gradë dhe normalisht kjo është një situatë që kërkon sakrificë, angazhim, kërkon rritjen e përgjegjësisë", shtoi Prençi.
Duke u ndalur tek situata e zjarreve të cilat kanë pushtuar një pjesë të mirë të territorit të vendit, Prençi shtoi se shërbimet pyjore nuk kanë njoftuar për zjarret, çka ka ndikuar që situata në disa raste të jetë edhe alarmante.
Ai shton se nëse flakët e zjarrit nuk arrijnë të neutralizohen që në fillim është e vështirë të luftohen, ndërsa koha kalon.
“Nga strukturat e shërbimit pyjor të zonave të mbrojtura kemi marrë shumë pak informacione për momentet e para të shfaqjes së vatrave të zjarrit. Zjarri është një fenomen natyror dhe nga dora e njeriut , që po nuk e kape që në embrion është e vështirë ta luftosh”, shton kreu i Emergjencave Civile Shemsi Prençi.
Sipas Prefektit Admir Abrija situata është përballur pa pasoja në njerëz dhe pse ka qenë ndër më kritiket.
“Doja të theksoja se situata sa i përket parandalimit ka qënë e mirë, koha reagimit ka qënë e menjëhershme, është bashkëpunuar shumë mirë me zjarrfikëset, me drejtoritë rajanale me OSHE, me drejtoritë e ujësjellësit,” u shpreh Admir Abrija, prefekt i Tiranës.
Prençi iu përgjigj dhe interesimit të medias për koston e operacioneve ajërore për shuarjen e zjarreve me helikopter privat, ku sipas tij janë kryer mbi 200 orë fluturime por emergjencat civile ende nuk e kanë një faturë të detajuar.