Prenga rikthen bojkotin e PD-së
shtyhen komisionet në Kuvend

Prenga rikthen bojkotin e PD-së<br />shtyhen komisionet në Kuvend
TIRANË - Rikthimi në Kuvend i Armando Prengës, deputetit të akuzuar për plagosje dhe armëmbajtje pa leje është përdorur si argument nga Partia Demokratike për të bojkotuar të gjitha komisionet parlamentare këtë të martë.
 
Tre komisione ku do të raportonin dhe ministra anuluan mbledhjet për shkak të mungesës së deputetëve të djathtë pasi nuk plotësohej kuorumi, ndërsa vetëm Komisioni i Ligjeve mundi të zhvillonte shkurt punimet e tij.
 
Ashtu siç tregon deputeti socialist Fatmir Toçi, kolegët demokratë nuk kishin njoftuar për mungesën edhe pse vendimi ishte marrë që mbrëmjen e së hënës. Toçi u shpreh nga komisioni kuvendor i medias se "opozita e ka më të lehtë të dalë tek tregu i vezëve sesa të vijë në Kuvend".
 
Por ndërsa demokratët kishin vendim politik, zhvillimi i mbledhjeve në komisione u bë i pamundur edhe për shkak të mungesave dhe në radhët e socialistëve.

Duke iu trembur një situate të ngjashme, në seancën e së enjtes ku do të votohen dhe 4 dekretet e presidentit për ministrat, PS i ka dërguar deputetëve të saj një mesazh ku kërkon prani maksimale. Për të nisur votimin për dekretet duhet që në sallë të jenë të paktën 71 të pranishëm. Ndërsa për ta miratuar atë mjaftojnë edhe 36 vota, pra një më tepër se gjysma

mesazhi i ps per pjesmarrjen ne dekretimin e ministrave

Gjykata e Lartë mori vendim pak ditë më parë të ndryshojë masën e sigurisë ndaj deputetit Armando Prenga dhe ta lë nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Prenga akuzohet se ka plagosur të paktën dy anëtarë të fisit Cali gjatë një konflikti të armatosur në Kurbin për të drejtën e shfrytëzimit për peshkim të Luginës së Patokut. Prenga është deputet i qarkut të Lezhës i përjashtuar tashmë nga Partia Socialiste, ndërsa ende nuk ka vendosur se cilës forcë politike do t'i bashkohet në Kuvend apo nëse do të qëndrojë i pavarur.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar