TIRANE - Beogradi ende nuk është çliruar nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës. Kështu është shprehur presidenti i Republikës Bujar Nishani në lidhje me heqjen e të UÇPMB-së nga forcat e xhandarmërisë serbe nga Lugina e Preshevës.

Nje ditë pas kësaj ngjarjeje, nëpërmjet një deklarate për mediat, Presidenti dënoi  "veprimin provokativ" të Serbisë, dhe shton se ata zgjodhën gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Ndërkohë që autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta”, bëhet e ditur në reagimin e Presidentit.

Sipas Nishanit, këto veprime dëmtojnë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës dhe nuk i shërbejnë dialogut.

Në qendër të reagimit të Presidentit është vënë edhe dëmtimi i varrezave serbe në Kosovë. Sipas Nishanit, edhe ky veprim është gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Në përfundim të deklaratës, Bujar Nishani i bën apel shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të veprojnë në mënyrë demokratike dhe të dënojnë veprimet provokative të Beogradit.

Po sot Kryeministri Berisha, duke e cilësuar të turpshëm heqjen e lapidarit të UÇPMB-së, deklaroi gjatë mbledhjes së Grupit PD se do të shqyrtojë marrëdhëniet me Beogradin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)