TIRANE -Shqetësimi për qëndrimin serb në Luginën e Preshëvës u ngrit edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm, ku nuk munguan debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës. Këta të fundit kërkuan seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për situatën në Luginën e Preshevës.

Deputetja e PS dhe njëkohësisht nënkryetarja e këtij komisioni, Arta Dade kërkoi që në mbledhjen e radhës së këtij komisioni të jenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Jashtme në vendin tonë për të sqaruar të gjithë qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me këtë ngjarje që cënon rëndë jo vetëm shqiptarët që jetojnë atje, por dhe marrëdhëniet e stabilitetit në rajon.

"Unë kërkoj që nesër (sot) komisioni të mblidhet dhe të kemi një informacion nga Ministria e Jashtme për qëndrimin nga qeveria serbe për të provokuar shqiptarët. Detyrimi ynë është që të mbrojmë shqiptarët atje, por ne do të bënim të njëjtën gjë edhe sikur kjo të kishte ndodhur me një kombësi tjetër në rajon. Propozoj që drejtori i përgjithshëm i rajonit në Ministrinë e Jashtme të vijë në komision", u shpreh Dade. Ndërkohë që kryetari i këtij komisioni si dhe anëtarët e tjerë ranë dakort me kërkesën e Dades. "Jam plotësisht dakort ta fusim në procedurë. Propozimi qëndron. Nuk e dimë se kur do realizohet kjo mbledhje me kërkesën tuaj", u shpreh Beja. Ndërkohë që në një prononcim për A1 Report, Dade kometoi dhe deklaratat e fundit të kreut të qeverisë lidhur me ngjarjet në Preshevë, duke theksuar këto janë nacionalizma të theksuara.

"Kryeministri kohët e fundit i ka dhënë retorikës së tij një aspekt nacionailist të theksuar. Ne nuk duhet të bëhemi promotor të nxitimeve në rajon. Vetëm nëpërmjet mjeteve diplomatike mund të zgjidhen gjërat. Shpresoj që kjo kërkesa ime të realizohet dhe të kemi një panoramë të qartë të githë aktorëve atje. Ministria e Jashtme duhet të kishte depozituar të gjitha qëndrimet", u shpreh Dade
Redaksia online
(ah/sg/shqiptarja.com)