Preshevë, serbët prangosin
8 shqiptarë  |

Preshevë, serbët prangosin<br />8 shqiptarë  |
BUJANOC- Forca të shumta policore të Serbisë që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm kanë bërë disa arrestime shqiptarësh në Bujanoc dhe fshatrat Tërnoc dhe Breznicë. Sipas medieve serbe, të arrestuarit akuzohen për krime lufte ndaj serbëve në jug të Serbisë.
Gjatë aksionit, xhandarmëria serbe ka qenë mjaft brutale, me çrast njëri nga të arrestuarit ka pësuar lëndime trupore, gjithashtu edhe një grua nga fshati Breznicë ka pësuar lëndime trupore.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, konfirmoi se policia ka arrestuar tetë persona, nga të cilat pesë janë akuzuar për `krime lufte kundër civilëve`.

Në një konferencë për media në qytetin e Vranjës, Daçiç tha se janë arrestuar: Elhami Salihu, Mustafë Limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurllahi.
Sipas tij, dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë gjatë bastisjes, ndërsa njëri është arrestuar për posedim të armës. Korrespodenti i shqiptarja.com nga Bujanoci konfirmon se në mesin e të arrestuarve është edhe Izet Qazimi, vëllai i Ridvan Qazimit i njohur si komandant Lleshi, i vrarë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Konçulit për demilitarizimin e UÇPMB dhe marrëveshjes së paqes në luftën e Lugines së Preshevës në vitin 2001.

Daçiç tha se këto veprime janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Serbisë, sot në mëngjes mes orës 6 dhe 9.

“Falja të cilën në vitin 2001 e ka miratuar Voisllav Koshtunica, është e vlefshme për terrorizëm dhe bashkim për veprimtari armiqësore, por ajo është e pavlefshme për këdo që ka bërë krime lufte”, ka thënë Daçic. Ai ka shtuar se disa nga ta akuzohen për krijimin e një formacioni ushtarak për shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia.

Ndërsa, kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha se shqiptarët e arrestuar janë nga Bujanoci, Tërnoci dhe Breznica dhe se këto arrestime janë tërësisht politike.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha se njëri prej të arrestuarve është punonjës i OSBE-së dhe tjetri ish pjesëtar i UÇPMB-së. Në prag të zgjedhjeve ky vendim ka ngjallur panikë dhe pasiguri tek banoret shqiptarë të Luginës se Preshevës.

NESER PROTESTA
Në Bujanoc të Luginës së Preshevës nesër në mesditë do të mbahet një protestë gjithpopullore shqiptare kundër arrestimeve nga xhandarmeria serbe.

Protesta është thirrur të jetë masive dhe të mbështetet nga shqiptarët e gjithë rajonit të Kosovës Lindore, informon korrespodenti i agjencise INA.

Para mbajtjes së protestës, Këshiltarët shqiptarë te tre kuvendeve komunale të Preshevës ,Bujanocit dhe Medvegjës nesër në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc do të zhvillojnë seancën e jashtëzakonshme lidhur me arrestimet ndaj shqiptarëve të Komunës së Bujanocit.

Banorët e Luginës së Preshevës sot janë shprehur të indinjuar dhe të revoltuar me veprimet dhe terrorin e policisë serbe. Shqetësime dhe tmerrë ka mbetëruar në shtëpitë e bastisura dhe ku u arrestuan të rinjtë shqiptarë.

Tetë të arrestuarit janë kryesisht të rinj nga fshatrat e Tërnocit të Madh dhe Breznicë të komunës së Bujanocit. 

KRYEPROKURORI SERB, TË ARRESTUARIT KANË LIDHJE ME GRUPIN E GJILANIT

Kryeprokurori për krime të luftës i Serbisë, Vladimir Vukçeviq ka deklaruar të premten në jug të Serbisë janë arrestuar 5 shqiptarë për shkak të dyshimit se kanë kryer krime lufte gjatë konflikteve të armatosura në atë rajon më 2001.

Vukçeviq ka thënë se "aksioni i policisë është duke vazhduar dhe me që fjala është për procedimin parapenal dhe hetimet e prokurorisë, detaje tjera të këtij rasti nuk mund të kumtojë“. Dyshohet se pjesëtarët e UÇPMB atëherë i kanë rrëmbyer dy djelmosha 18 e 19 vjeç, e pas disa ditësh trupat e tyre janë gjetur në afërsi të llogorit afër lokalitetit Breznicë.
Dy të dyshuarit kryesor në atë grup, sipas Prokurorisë serbe për krime të luftës nuk janë të kapshme për organet gjyqësore të Serbisë dhe po
„fshihen në territorin e Kosovës e Metohisë, por emrat e tyre dihen“, dhe nënvizohet se „dyshohet se ky grup ka lidhje me ’Grupin e Gjilanit’ të UÇK i cili ka krye krime në territorin e Kosovës gjatë vitit 1999.


ARRESTIMET, REAGON DEPUTETI SHQIPTAR

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Riza Halimi ka reaguar menjëherë pas arrestimeve sot nga policia serbe ne Luginën e Preshevës. Halimi I cilëson arrestimet e  shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 si “vazhdim të terrorit shtetëror” kundër komunitetit shqiptar.
Halimi u shpreh se vala terroriste serbe mbi shqiptarët ka nisur qysh në 2008 për të vijuar dhe më pas dhe kjo është arsyeja sipas tij që qindra familje shqiptare kanë emiguar nga Lugina e Preshevës.
Halimi nuk I cilëson rastësi arrestimet vetëm dy ditë para zgjedhjev serbe duke paraljmëruar se këto veprime mund të kenë pasoja për tërë rajonin.
"Qëllimi është për të fituar pikë në politikë duke luajtur me fatin e këtij vendi dhe të gjithë rajonit”, u shpreh deputeti shqiptar Halimi për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Ai shtoi se ish anëtarët e UC të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre iu garantua amnistia.
Halimi ka thënë se në mesin e të arrestuarve është edhe një kandidat për këshillin lokal, i cili është lënduar gjatë aksionit të policisë.
"Ky është një vazhdim i procesit politik, që ka për qëllim presionin ndaj shqiptarëve të rajonit. Rezultati ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, ku vetëm në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600”, ka thënë Halimi.

ARRESTIMET, REAGON PDIU

PDIU ka reaguar duke shprehur indinjatën e thellë për fushatën e fundit të arrestimeve të ndërmarrë prej qeverisë serbe në Luginën e Preshevës dhe bën thirrje që ky aktivitet masiv policor të ndërpritet dhe të arrestuarit të lirohen sa më parë.
"Arrestimet e kryera ditëve të fundit në komunën e Bujanovcit nën akuzan për krime lufte janë qartazi një shprehje e mllefit hakmarrës të Beogradit për rikonfirmimin e pafajsisë të komandantit Limaj dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe një taktikë elektorale në prag të zgjedhjeve. Me anën e kësaj manovre policore brutale në Luginën e Preshevës si dhe nxitjes së dhunës në veri të Kosovës trashëgimtari i lidershipit të partisë së Milosheviçit, Zoti Ivica Daçiç është duke aplikuar një fushatë populiste ekstremiste që synon të rikthejë atmosferën e para një dekade për të mbledhur sa më shumë vota", thekson Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

VETËVENDOSJE: ARRESTIMET E SHQIPTARËVE, POLITIKA TË SPASTRIMIT ETNIK

Vetëvendosje reagoi për arrestimet të 8 shqiptarëve nga komuna e Bujanocit, disa prej tyre, ish pjestarë të UÇPMB-së nga forcat e xhandarmërisë serbe.
Sipas Vetëvendosjes, xhandarmëria serbe e urdhëruar nga ministri serb Ivica Daçiç ka qenë brutale duke mos kursyer as gratë e fëmijët.

“Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç herë thotë se ata janë arrestuar për krime lufte kundër civilëve, herë se janë pjesëtar të një formacioni të armatosur të krijuar së voni, e herë pretendon se i kanë rezistuar arrestimit. Ndërkohë qeveria e Hashim Thaçit jo vetëm se nuk angazhohet për mbrojtjen e bashkëkombasve tanë por as nuk gjen kohën për të reaguar. Përkundrazi qeveria e Kosovës, siç po shihet, e ndihmon Serbinë që të organizojë zgjedhjet serbe në Republikën e Kosovës, si shpërblim për trajtimin çnjerëzor që Serbia i bën shqiptarëve sa herë që ka mundësi.”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje kritikoi edhe dialogun me Serbinë duke shpjeguar mosrespektimin e marrëveshjes së Konçulit nga Serbia.
“Arrestimi i vëllait të Ridvan Qazimit (Komandant Lleshit), që ka qenë një prej nënshkruesve të Marrëveshjes së Konçulit, i vrarë më 24 Maj 2001, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes që demilitarizoi UÇPMB, dhe marrëveshjes së paqes në luftën e drejtë të UÇPMB-së tregon se sa i respekton marrëveshjet Serbia”
Këto arrestime janë vazhdimësi e proceseve politike me skenarë antishqiptarë të Serbisë me motiv spastrimin etnik të Luginës së Preshevës. Shembull për objektivat e skenarëve të tillë është Komuna e Medvegjës dikur e banuar me mbi 6 mijë e 500 shqiptarë nga të cilët sot kanë mbetur vetëm 600.

Lëvizja VETËVENDOSJE! fton të gjithë organizmat vendorë, po ashtu edhe ata ndërkombëtarë që të ushtrojë presion ndaj Serbisë, që të ndalet menjëherë represioni ndaj popullatës shqiptare atje. Po ashtu Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë qasjen indiferente ndaj shqiptarëve në Serbi, e të sillet si një qeveri e një shteti Sovran i cili është i obliguar që të mbrojë interesat e bashkëkombasve të vet kudo që ata janë.



(sg/ns/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj