PRESHEVE - Një numër shumë i madh forcash policie serbe, të shoqëruara nga njësitet e xhandarmërisë kanë marrë pjesë në operacionin e heqjes të lapidarit në nderim të dëshmorëve të UÇPMB-së, të vendosur para godinës së administratës së Preshëvës që nga nëntori i vitit të kaluar.

Fillimisht një numër prej 200 pjesëtarësh të Xhandarmerisë mbërritën në shesh, ndërsa rreth orës 07:00 të mëngjesit një eskavator shkuli dhe tërhoqi lapidarin nga vendi i vendosur. Më pas, lapidari është hedhur në një kamion, nga ku është transportuar në drejtim ende të paditur.

Në aktin e heqjes së lapidarit kanë marrë pjesë edhe komandanti i Xhandarmërisë, Bratislav Dikiç, kryeshefi i policisë së Vranjës si dhe komandanti i stacionit policor të Preshevës, Avdi Bajrami.

Një pjesë e vogël e qytetarëve kanë ndjekur operacionin e heqjes, ndërsa nuk ka pasur ndonjë reagim të popullsisë për pasojë as ndonjë incident. Vendi ku deri dje qëndroi e vendosur pllaka përkujtimore e UÇPMB-së është hequr dhe nuk ka asnjë shenjë, i tërë vendi është pastruar.

Aksionin e kanë transmetuar media të shumta, sidomos ato serbe. Ndërkohë që sot është paralajmëruar një takim i përfaqësuesve politikë dhe institucional, atyre të OVL -së dhe përfaqësuesve të familjarëve të dëshmorëve.

Ndërkohë që nesër në Preshevë do të mbahet protestë paqësore në vendin ku ishte lapidari i UÇPMB-së pranë kuvendit komunal. Vendimi për protestën paqësore ka dalë nga takimi i liderëve politikë të Luginës së Preshevës, në mbledhjen e mbajtur sot në kuvendin komunal të Preshevës.

Përmes një konference të përbashkët me gazetarët ata kanë bërë thirrje për qetësi dhe për ruajtjen e gjakftohësisë nga popullata shqiptare e këtij rajoni, duke mos rënë pre e provokimeve të tjera.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës nuk kanë shprehur qëndrime të tjera politike lidhur me situatën e tensionuar pas heqjes së lapidarit. Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka theksuar se janë shkëputur kontaktet me autoritetet qendrore serbe pas aktit vandal të heqjes së lapidarit dhe se nuk dihet sipas tij destinacioni i këtij monumenti historik i shqiptarëve të kësaj treve.

Kryeministri serb njëherësh ministër i Brendshëm Ivica Daçiç ka theksuar se pas të gjithave afateve të tejkaluara dhe limiteve kohore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmerisë kanë hequr lapidarin e vendosur sipas tij në mënyrë ilegale.

“Serbia tregoi mjaft durim, por edhe ka dërguar porosi të qartë dhe të fuqishme se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, deklaroi Daçiç, duke shtuar se aksioni ka kaluar pa incidente dhe pa përdorimin e dhunës.

Lapidari i dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së dhe UÇK-së u vendos në nëntor të vitit të kaluar me rastin e festës së 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunal të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin deklaruar kundër heqjes së këtij monumenti përkujtimor. Kundër reaguan edhe Prishtina dhe Tirana zyrtare.

Redaksia online
(eç/jd/sg/shqiptarja.com)