TIRANE - Qeveria “Rama” pritet të nisë zyrtarisht punën më 12 shtator.

Burime nga presidenca, kanë bërë të ditur për A1Report se presidenti Nishani do të dekretojë pa asnjë vonesë kabinetin e ri.

Sipas Kushtetutës presidenti ka 10 ditë kohë për të dekretuar qeverinë, por burimet të cilat i referohet A1 Report bëjnë të ditur se Nishani do ta dekretojë brenda 24 orëve që nga momenti kur do i dërgohet dekreti për të firmosur qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.
 
Kështu, në seancën e parë të Kuvendit, të cilën presidenti Nishani e ka thirrur më 9 shtator, pritet të bëjmë betimin 140 anëtarët e rinj, deputetë të dalë nga vota e shqiptarëve 3 muaj më parë.
 
Në po të njëjtën seancë, do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS – LSI do të propozohet të jetë, Ilir Meta.
 
Pas kësaj, Kuvendi i dërgon presidentit Nishani propozimin për emërimin e qeverisë së re. Këtë dekret presidenti Nishani, sipas burimeve të A1Report, do ta firmosë brenda 24 orëve, duke siguruar njëherësh edhe vullnetin e bashkëpunimit me qeverinë e majtë, gjithashtu duke mos u bërë pengesë për fillimin e menjëhershëm të punës.
 
Kësisoj,  sipas burimeve zyrtare, pas firmës së presidentit Nishani, më 12 shtator ministrat e PS e LSI do të ulen në zyrat e tyre për të marrë në duar drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)