Donald Trump i ka dërguar një letër BBC-së, duke kërcënuar formalisht me padi lidhur me montazhin e dy pjesëve të ndara të një fjalimi të tij të vitit 2021, të montuara në mënyrë të atillë që krijonin përshtypjen se ai kishte nxitur drejtpërdrejt sulmin ndaj Capitol Hill-it.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë televizioni britanik, duke sqaruar se letra është pranuar dhe se BBC-ja rezervon të drejtën për të “përgjigjur” në mënyrën e duhur. Skandali që ka përfshirë BBC-në, transmetuesin publik britanik me më shumë se një shekull histori, i konsideruar prej kohësh një model i pavarësisë mediatike në Perëndim — ka mbërritur tashmë përpara Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.
Drejtuesit kryesorë të BBC-së u detyruan të japin dorëheqjen dje, pas akuzave për anshmëri politike, të përhapura gjerësisht nga media dhe politikanë të djathtë. Kjo ndodhi pas një fushate të gjerë që kulmoi me denoncimin e redaksisë së emisionit “Panorama”, një program i njohur investigativ i BBC-së, i akuzuar se kishte montuar artificialisht dy pjesë të ndara të një fjalimi të Donald Trump-it të vitit 2021, për ta bërë të dukej sikur ai kishte nxitur drejtpërdrejt rrethimin e Capitol Hill-it.
Dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe të CEO-së së BBC News, Deborah Turness, janë sot në qendër të një seance dëgjimore në Komisionin e Kulturës të Dhomës së Komunëve, të kryesuar nga deputetja konservatore e opozitës, Caroline Dinenage. Ndërkohë, BBC-ja ka kërkuar zyrtarisht falje për “gabimin e bërë”.
“Gabim”, për të cilin Davie dhe Turness morën përgjegjësinë përfundimtare, në përputhje me rolin e tyre drejtues, megjithëse jo pa polemika. Në një fjalim lamtumire emocional të mbajtur mëngjesin e sotëm në selinë e BBC-së, Deborah Turness iu përgjigj indirekt akuzave të Trump-it duke deklaruar "Gazetarët tanë nuk janë të korruptuar”, duke hedhur poshtë dyshimet për “anshmëri institucionale” në transmetuesin publik britanik.
Ansa
Lajmi kryesor:
BBC-Trump/Çështja përfshin Parlamentin! 2 drejtuesit dhanë dorëheqjen/Presidenti i SHBA kërcënon me padi transmtuesin publik britanik









