Presidenti Bajram Begaj priti në Tiranë Leyla Aliyevën, Zëvendëspresidente e Fondacionit “Heydar Aliyev”, e cila ndodhet në Shqipëri për çeljen e ekspozitës “Mother Nature”.

Gjatë takimit, Begaj theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit. Ai u ndal te dialogu politik dhe bashkëpunimi ekonomik, sidomos në fushën e energjisë, por edhe te lidhjet kulturore dhe humanitare mes dy vendeve.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Fondacionit “Heydar Aliyev” në projekte me ndikim social, duke përmendur kontributet në shëndetësi, kulturë, mjedis dhe arsim. Ai çmoi gjithashtu angazhimin e Leyla Aliyevës në nisma që synojnë ndërgjegjësimin shoqëror dhe dialogun kulturor.

Begaj shprehu interes për thellimin e bashkëpunimit me fondacionin në fusha si kultura, turizmi, shëndetësia, ambienti dhe çështjet humanitare, duke theksuar se Presidenca është e gatshme të mbështesë projekte të përbashkëta që forcojnë lidhjet mes dy vendeve.