Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot, me ftesë të Presidentit të Republikës së Polonisë, Karol Nawrocki, në ceremoninë e nderimit të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit të vitit 1956, një nga ngjarjet më domethënëse të rezistencës kundër regjimit komunist në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në kuadër të ceremonisë, krerët e shteteve të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës riafirmuan angazhimin për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.

Në margjinat e aktivitetit, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës së Polonisë, Karol Nawrocki.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Polonia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Ai vlerësoi rolin udhëheqës të Polonisë brenda Bashkimit Evropian dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për t’u kujtuar shteteve anëtare se integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor përbën një domosdoshmëri gjeopolitike për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të plotë.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu ndihmën konkrete që Polonia ka ofruar për institucionet shqiptare përmes shkëmbimit të ekspertizës në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se përvoja e suksesshme e Polonisë në transformimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e standardeve evropiane është një model frymëzues për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Presidenti Begaj shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë do të vijojnë të forcohen më tej, si në planin politik ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve.

Nga ana e tij, Presidenti Nawrocki rikonfirmoi mbështetjen e Polonisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian dhe forcimit të partneritetit mes dy vendeve.