Ashtu si çdo vit, Vlora ishte kryeqendra e festimeve dhe kremtimit të 113-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht aty ku flamuri kuq e zi u valvit për herë të parë i lirë e I pavarur.
Festa e Flamurit bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova të cilët morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit nën tingujt e himnit kombëtar.
Ceremonia vijoi me nderimet në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, ku kryeministri Kryeministri Rama, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi vendosën kurorat me lule.
Preidentja Vjosa Osmani ishte e vetmja e pranishme nga Kosova, ndërsa u vu re mungesa e kryeministrit Albin Kurti.
Nderimet e tyre i shprehën edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës dhe Prefektja e qarkut.
Kryeminsitri Rama e nisi ditën me një postim në rrjetet sociale, ku me një fotografi të monumentit të pavarësisë në Vlorë i uron gjithë shqiptarëve ditën e flamurit. Reagime erdhën edhe nga Kosova si dhe partnerët ndërkombëtarë BE dhe SHBA.
Festa e Flamurit u festua në të gjithë vendin. Qytetarët mbushën sheshet me simbolet kuqezi, ku nuk munguan si çdo vit vizitorët nga Kosova të cilët e nisën festën që në doganën e Morinës.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë më pas, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur. 28 nëntori përkon edhe me ditën kur Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti më 1443 flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.
Shqiptarja.com dhe Report TV iu urojnë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen festën e pavarësisë.
Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi festuan Ditën e Pavarësisë, të veshur kuqezi dhe me simbolet kombëtare, ata u organizuan në Sheshin Syntagma mbrëmjen e 28 Nëntorit.
Kjo është si Dita e Flamurit,që bën bashkë shqiptarët në të gjitha trevat shqiptarë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla festoi me bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë në Londër ditën e Pavarsisë së Shqipërisë.
Përmes një videoje të shperndarë në rrjetet sociale nga Londra, ku shihen shumë bashkëkombas të pranishëm në një mbrëmje kuq e zi.
“Një urim nga Londra për gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë dhe ditëlindjen e heroit tonë legjendar Adem Jashari”, shkruan Balla në postimin e tij.
Një urim i veçantë ka ardhur për Shqipërinë me rastin e 113 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku kulla “Burj Khalifa” në Dubai është 'veshur' kuq e zi.
Në pamje shihet se fasada e kullës gjigante e kullës 829.8 metra e lartë është ndriçuar me ngjyrat e flamurit shqiptar, sfondi i kuq dhe shqiponja dykrenare në qendër.
Atmosfera festive e Ditës së Pavarësisë vijon në qytetin e Fierit. Dhjetëra qytetarë me flamuj në automjetet e tyre kanë përshkuar qendrën e qytetit, duke ndjekur traditën e përvitshme.
Qytetarë të grupmoshave të ndryshme i kanë përshëndetur duke i'u bashkuar ritmit të festës mbarëshqiptare.
Ndërkohë, parada e automjeteve është shoqëruar edhe me një spektakël fishekzjarresh duke e bërë atmosferën edhe më elektrizuese.
Për herë të parë, me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, festat e Nëntorit po kremtohen më bukur se kurrë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak!
Aktivitete kulturore e artistike, shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte dhe panaire artizanësh po sjellin frymën e festave në mbarë Luginën.
"Festojmë së bashku, kudo që ndodhemi",- shkruan ministri Gonxhja në rrjetet sociale.
Edhe Kosova feston sot 'Ditën e Flamurit', e shoqëruar me një atmosferë festive, këngë patriotike dhe valle tradicionale.
Në një lidhje skype për emisionin 'Studio Live' në Report Tv, gazetarja Vesa Hoda nga Prishtina, tha se atmosfera është festive, ndërsa në mbrëmje pritet që të bëhet edhe një koncert i madh.
'Tani jam në qendër të Prishtinës, ku ka një atmosferë festive, pasi sot është 28 nëntori dhe është duke u festuar me aktivitete të ndryshme. Sot kemi pasur muzikë, këngë dhe valle këtu në kryeqytetin e Kosovës dhe në mbrëmje do të ketë edhe një koncert të madh, ku tashmë kanë nisur edhe dekorimet. Pritet që të ketë një festë të madhe’, tha ajo.
Hoda tha se urimet nuk kanë munguar edhe nga politika në Kosovë, të cilët nëpërmjet mesazheve i kanë uruar 113 vite pavarësi Shqipërisë.
‘Politikanët e vendit kanë sjell urime për këtë festë, presidentja Osmani ka qenë dje në Shqipëri në darkën që është shtruar atje me politikan të tjerë që kanë uruar për këtë festë. Në Shqipëri sot kanë qenë edhe disa deputetë nga parlamenti i Kosovës’, tha ajo.
Në Prizren, kafja sot po shërbehet me një simbolikë të veçantë. Kamerierët mbajnë në kokë plisin e bardhë me shqiponjën dykrenare një gjest i thjeshtë, por i ngarkuar me krenari, që u uron klientëve 113-vjetorin e Pavarësisë së mbarë kombit shqiptar, ashtu siç e cilësojnë shqiptarët e të gjitha trojeve tona.
Mes aromës së kafesë dhe festës që ndizet nëpër rrugët e gurta të Prizrenit, ky detaj i vogël bëhet një përshëndetje e madhe për Ditën e Flamurit.
Koncerti i madh festiv “Bashkë për ty atdhe”, me rastin e festave të nëntorit ka bërë bashkë rreth 80 artistë, të cilët kanë ndezur mesditën e sotme skenën e teatrit “Bylis” në Fier.
Orkestra simfonike e qytetit, kori i Akademisë së Arteve, dhe i ftuari special, tenori Josif Gjipali, i kanë dhënë nota emocionuese atmosferës kuq e zi.
Ky event tashmë është kthyer në traditë dhe zhvillohet për të 9- in vit radhazi nën kujdesin e veçantë të bashkisë Fier, dhe kryetarit të saj, Armando Subashi.
Sot, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, Bashkia Devoll përcolli atmosferën festive edhe në pikën kufitare të Kapshticës.
Grupi i valltarëve të "Qendrës Kulturore Devoll" performoi me valle shqiptare, duke sjellë emocione dhe krenari për çdo qytetar që kalonte kufirin. Në shenjë simbolike, u dhuruan flamuj kombëtarë për çdo udhëtar, si mesazh i unitetit dhe dashurisë për atdheun.
Në 113-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, grupi i valleve të Pogradecit ka ndërmarrë një nismë të veçantë artistike dhe patriotike.
Djem dhe vajza të këtij grupi pritën me këngë dhe valle popullore udhëtarët që futeshin në territorin shqiptar nga Dogana Qafë Thanë, duke dhuruar një mikpritje të ngrohtë dhe tipike tradicionale shqiptare.
Elbasani në këtë 28 Nëntor festoi 113-vjetorin e Pavarësisë, në sheshin “Gensher”, pranë bustit të firmëtarit Aqif Pasha Elbasani. Të parët ishin ata të kampit rozë, të shoqëruar nga kryebashkiaku Llatja, deputetët e qarkut dhe drejtuesi i qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku. Ceremonia nisi në orën 10:00 të ditës së sotme me bandën frymore të qytetit, ku të pranishëm ishin qytetarë të të gjitha moshave. Me flamuj në duar, ata përkujtuar këtë ditë të lavdishme për qytetin dhe paraardhësit e tyre.
Në fjalimet e tyre, kryebashkiaku Llatja dhe Mazniku kujtuan shpirtin heroik të popullit të Elbasanit, të cilët ishin ndër të parët që ngritën flamurin shqiptar të pavarur, mes sfidave dhe triumfeve të një kohe të trazuar. Mazniku theksoi se misioni vazhdon, që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së mes popujve triumfues.
“Sot nuk përkujtojmë vetëm një akt politik, por një moment shpirtëror. 28 nëntori është dita kur një komb i vogël i tregoi botë se dinjiteti dhe vullneti i një populli janë më të fortë se çdo pengesë. Në vitin 1912 njerëz t mençur e vizionarë të udhëhequr nga Ismail Qemali ngritën flamurin në Vlorë dhe i dhanë jetë shtetit të parë shqiptar në histori. 28 nëntori është dhe dita e simbolit tonë të shtrenjtë, flamurit kuq e zi. Të jemi të drejtë dhe të patundur për dashurinë tonë ndaj atdheut. Pavarësia nuk është vetëm një simbol, por një angazhim i përditshëm”, tha Gledian Llatja.
“Dita kur disa burra të nderuar të këtij qyteti dhe të Shqipërisë u bashkuan ë Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, nëse mendoni pas në kohë, ajo që kuptojmë janë 3 mesazhe, së pari ata njerëz vizionarë besuan tek e ardhmja. S’do të ketë qenë e thjesht në ato momente të mendoje për Shqipërinë e pavarur. Së dyti ata besuan shumë fort tek shqiptarët. Së treti ata besuan që interesat e së përbashkëtës, të Shqipërisë ishin përpara interesave të tyre personale”, tha Arbër Mazniku.
Pas përfundimit të ceremonisë nga socialistët, në orën 11 anëtarë të PD-së, të shoqëruar nga Drejtuesi i Qarkut Tomorr Alizoti, vendosën kurorat e tyre pranë bustit. Alizoti, në këtë ditë të veçantë për qytetarët elbasanas, dha urimin e tij duke theksuar ndërgjegjësimin e tyre dhe t’u kthehen krenar, siç kanë qenë.
“Të gjithë shqiptarë iu urojmë festën gëzuar në një ditë të vështirë ku Shqipëria nuk i ka më atë burrat e dikurshëm. I uroj shqiptarëve që t’iu rritet ndërgjegjja dhe të mos pranosh të padrejtën dhe të keqen”, tha demokrati Tomorr Alizoti.
Manifestimet e 28–29 Nëntorit në Elbasan kanë nisur që mbrëmjen e djeshme, ku Bashkia Elbasan dhuroi një pamje spektakolare për qytetarët duke ndriçuar muret e kalasë shekullore, teksa pasditja do të jetë e mbushur me aktivitete artistike në Teatrin Skampa të Elbasanit.
Shkodra ‘u vesh’ sot kuq e zi duke festuar 113-vjetorin e Shqipërisë si shtet i pavarur. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci së bashku me përfaqësues të Policisë, kanë nderuar me kurora me lule statujën e Luigj Gurakuqit, një prej firmëtarëve në deklaratën e pavarësisë.
Në qytet të shumë kanë qenë qytetarët që janë bërë pjesë e festimeve ndërsa nuk kanë munguar as shfaqet me kuaj.
Në qytetin e Pukës është mbajtur ceremonia e festimit të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj iu drejtua të gjithë qytetarëve të pranishëm duke i uruar 28 nëntorin, ndërsa nderoi dhe të gjithë dëshmorët që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit.
“Së bashku sot kremtojmë 113 e shpalljes së pavarësisë. Nderoj me respekt të gjithë ata që kanë dhënë jetë për pavarësi, për lirinë e kombit tonë. Këtu jemi për të dhënë mesazhin e paqes, mirësisë për të çuar lart e më lart amanetin dhe gjakun e atyre që kanë kontribuar për kombin tonë. Veçanërisht për Pukën që kjo liri të mos mbetet e përdhosur, por të ndriçojë vendin”, tha kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj.
Në qytetin e Korçës është festuar sot 113-vjetori i Shqipërisë së pavarur. Qytetarët janë mbledhur në sheshin kryesor përpara katedrales me prezencën dhe të figurave politike të qytetit ku është mbajtur dhe parada tradicionale.
Në katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ është zhvilluar dhe Dhoksologjia e Flamurit për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës, imzot Anastasi.
Në Qendrën Kulturore u mbajt sot koncerti festiv i organizuar nga Bashkia Përrenjas, në nder të 28–29 Nëntorit, ditëve të flamurit dhe të gjithë patriotëve që sakrifikuan për pavarësinë dhe identitetin tonë kombëtar.
Një mbrëmje plot emocion, muzikë dhe art që nderon historinë, sakrificat dhe krenarinë tonë kombëtare.
Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e ruajtjes së traditës dhe respektit për figurat e shquara që kontribuuan në lirinë e Shqipërisë.
“Këto janë dy data krenarie që më në fund pas shumë përpjekjesh të atyre që sakrifikuan jetën për ditët e bukura që ne gëzojmë sot, janë dy data që çdo shqiptar i feston në të gjithë botën. Duke iu uruar të gjithëve 28-29 nëntorin, festën e çlirimit. Dua që këto data të jenë ditë reflektimi, data që ashtu sikur ata që luftuan për këtë ditë, kërkuan që të ketë një Shqipëri të mirë, të begatë dhe të lirë. Shumë shpejt jemi në hapat e fundit për të shkuar në BE. Do të jemi një shtet më i sigurte, më i përparuar”, tha kryebashkiaku Nuri Belba.
Pas fjalës së kryetarit, përshëndetjen e tij e dha edhe Deputeti i zonës.
“Kur bëhet fjalë për festat e nëntorit, kjo sallë merr një vëmendje të madhe. Të gjithë duhet të jemi krenarë sa herë që vjen nëntori, 28-29 nëntori të cilat gjithmonë na kanë bërë të ndihemi krenarë për atë histori të popullit tonë. Atë histori të lavdishme shekull pas shekulli e përcjellë brez pas brezi. Le të vazhdojmë të respektojmë me nder dhe krenari gjakun e dëshmorëve që na anë dhënë këtë shtet që gëzojmë sot, por dhe ata të vitit 1944, heronjtë e Luftë Nacional Çlirimtare që na renditën në krahun e fitimtarëve dhe në krahun e heronjve”, tha deputeti i PS Olsi Komici.
Në vijim, artistë të ndryshëm interpretuan këngë patriotike dhe pjesë artistike kushtuar figurave historike, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje dhe entuziazëm.
Mbrëmja u mbyll mes emocionit dhe atmosferës festive, duke sjellë edhe një herë në vëmendje vlerat që na bashkojnë si shqiptarë.
Kufiri i përbashkët Shqipëri–Kosovë është kthyer sot në një skenë të vërtetë festive me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Grupe valltarësh nga Kosova dhe Shqipëria kanë kërcyer vallen e Kukësit, duke treguar se zemra e shqiptarësisë rreh njësoj, kuq e zi, pikërisht aty ku bashkohen të dy vendet.
Si çdo vit, festa e 28 Nëntorit Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo e 17 Shkurtit Dita e Pavarësisë së Kosovës kthehen në momente uniteti, gëzimi dhe krenarie kombëtare, të dukshme edhe në këtë kufi që sot nuk ndan, por bashkon.
Flamujt valëviten kudo në Tiranë, ndërsa kryeqyteti feston Ditën e Pavarësisë. Në sheshin “Skënderbej” u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit, ku qytetarë të shumtë kishin mbushur sheshin që në orët e para të mëngjesit.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se kjo ditë është më shumë se një përvjetor historik, është një moment reflektimi dhe premtimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 28 Nëntori, nga Skënderbeu te Pavarësia e 1912-s, nga lindja e Adem Jasharit te miratimi i Kushtetutës së 1998-s, mbart në vetvete kujtesën, identitetin dhe aspiratat e shqiptarëve.
“Të thuash se 28 nëntori është ditë e rëndësishme është thuash pak sepse nuk mban vetëm një trashëgimi por mban një premtim kjo ditë sot. Është një kujtesë, mbi çfarë kemi qenë, kush jemi dhe kush duam të jemi. Shqiptarët në çdo brez kanë ditur të ngrihen për lirinë, për dinjitetin dhe për të ardhmen. Prandaj, sot ndërsa ndërtojmë Shqipërinë moderne, evropiane, të hapur, 28 nëntori nuk është një përkujtim por është një premtim se rrugëtimi vijon dhe do e çojmë përpara me të njëjtën kurajo që kemi ndriçuar historinë tonë”, theksoi ajo.
Në vijim, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësia nuk është vetëm histori, por një detyrë e përditshme për të ndërtuar institucione të forta, shtet ligjor dhe një shoqëri të orientuar drejt standardeve europiane.
“Amaneti i Vlorës është: Liria është fillimi; shteti është detyra, e ardhmja është përgjegjësia. Ky amanet mbetet i gjallë çdo 28 nëntor, jo si kujtim i së shkuarës por si thirrje për të sotmit: Të mos festojmë vetëm Pavarësinë por ta justifikojmë me punë, me vizion dhe me institucione që i bëjnë nder flamuri dhe janë në lartësinë e atij premtimi. Tirana, kryeqyteti ynë, është pasqyra e këtij premtimi, e këtij përkushtimi dhe ashtu siç Shqipëria e 1912 u ngrit për të mbrojtur sovranitetin e saj, me vendosmëri, Shqipëria e sotme punon për të forcuar shtetin e konsoliduar demokracinë. Shqipëria duhet të jetë e lirë , thoshte ai- sepse vetëm e lirë mund të jetë e denjë dhe kjo fjali, e thjeshtë por e fuqishme është amaneti që na bashkon ende sot. Na kujton se liria nuk është dhuratë; është përgjegjësi. Pavarësia nuk është vetëm histori; është punë e përditshme. Evropa nuk është vetëm destinacion por është mënyrë e të menduarit, e të vepruarit, për të qëndruar të denjë”, deklaroi Ristani.
Me flamuj në duar apo edhe me veshje kuq e zi, qytetarët u mblodhën në zemër të kryeqytetit për të ndjekur nga afër momentin solemn të ngritjes së flamurit.
Atmosfera festive nuk mungoi as në “Pazarin e Ri”, ku të rinj nga të gjitha trevat shqiptare, të veshur me kostume popullore, sollën ritmet e valleve folklorike.
Ndër pjesëmarrësit kishte shumë vizitorë që kishin ardhur posaçërisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për t’iu bashkuar festimeve në kryeqytetin shqiptar.
Kryeqyteti do të festojë 28-29 Nëntorin me një kalendar të gjerë aktivitetesh duke i shndërruar në një qendër të madhe festive. Për dy ditë në radhë qytetarët do të kenë akses falas në institucionet kulturore dhe në aktivitetet e tjera publike, nga performanca e Ansamblit Popullor e deri te koncerti madhështor në sheshin ‘Skënderbej’.
Fluks i shtuar është regjistruar së fundmi në pikën kufitare të Kapshticës, ku dhjetëra mjete po i drejtohen shtetit grek në këtë ditë feste dhe fundjave. Sipas informacioneve, pala shqiptare po punon me tre sportele në dalje, ndërsa mësohet se pala greke funksionon me sistemin e ri, i cili herë pas here has probleme, çka ka sjellë edhe këtë fluks.
Mjetet po presin në radhë për të kaluar kufirin. Nga ana tjetër, pala shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me homologët grekë për të marrë masa që të shmanget pritja në radhë dhe të ulet fluksi i qarkullimit.
Në të gjithë Shqipërinë përkujtohet sot 113-vjetori i Pavarësisë. Në Berat, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, familjarë të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë si dhe veteranë të luftës kanë kryer homazhe në Memorialin kushtuar Pavarësisë në lagjen "Dëshmorët e Kombit". Nën ritmet e Orkestrës Frymore të qytetit, u vendosën kurora me lule në këtë përmendore, në shenjë nderimi dhe respekti për këtë ditë të shënuar.
Kryetari i bashkisë, Ervin Ceca, ka theksuar në fjalën e tij se kjo është një ditë e shenjtë për kombin tonë, një ditë që na rikthen tek shpresa, sakrificat dhe krenaria që mbartim ne si shqiptar. Ceca ka theksuar figurën e çmuar të rilindasve beratas, që luftuan me pushkë e penë për pavarësinë e vendit tonë. "Në Kuvendin e Vlorës, Berati u përfaqësua denjësisht nga 6 firmëtarë dhe 45 delegatë, duke na bërë krenar për të parët tanë, që vendosën gurët e themelit të shtetit shqiptar", ka thënë kryebashkiaku Ceca në fjalën e tij.
“Sot jemi mbledhur mbi themelet e këtij qyteti që ka rrezatuar kulturë dhe qytetari ndër breza. Është një ditë e shenjtë për vendin tonë, që na rikthen tek rrënjët, tek sakrifica dhe krenaria që mbartim si shqiptarë. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali dhe burrat e kombit ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën pavarësinë. Ajo ishte përmbushja e ëndrrës shekullore e një populli. Edhe Berati ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Këtu janë rritur, mësuar, luftuar dhe sakrifikuar dhjetëra figura rilindase, dijetarë, luftëtarë, klerikë e patriotë q ëme penë e pushkë frymëzuan lirinë e shtetit shqiptar. Në Kuvendin e Vlorës Berati u përfaqësua denjësisht me 6 firmëtarë e 45 delegatë duke na bërë krenarë për të parët tanë të cilët vendosën gurët e themelit të shtetit shqiptar”, tha Ervin Ceca.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare, i zhvilluan homazhet dhe nderimet në Lapidarin kushtuar Pavarësisë dhe në lapidarin e Dëshmorëve të Atdheut 30 minuta para ceremonisë së organizuar nga pushteti vendor.
Në Kuvendin e Vlorës, Berati ka pasur delegatët e tij, të kryesuar nga Iliaz Bej Vrioni, kryeministër i vendit, ministër i jashtëm dhe figurë mjaft e rëndësishme e jetës politike dhe sociale të Shqipërisë në vitet ’20-’30.
Edhe në Sarandë është zhvilluar ceremonia me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ndryshe nga vitet e tjera, në ceremoni munguan përfaqësues nga PD.
Në këtë mungesë, kurorën e PD e ka vendosur ish-kryetarja e PD e degës Sarandë, Manjola Nikollo, e cila cila prej 1 muaji është emëruar si nënkryetare e bashkisë Sarandë.
Dita e shpalljes së Pavarësisë është përkujtuar paraditen e 28 nëntorit në sheshin kryesor të qytetit të Divjakës. Merrnin pjesë qytetarë të shumtë, nxënës shkollash përfaqësues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të besimeve fetare. Të pranishmit janë përshëndetur nga kryetari i bashkisë zoti Josif Gorrea si dhe përfaqësuesi i kishës ortodokse at Pandeli Sota.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të uroj këtë festë, të ngrej këtë flamur. Për mua ngelet festa më e madhe e Shqipërisë moderne. Kemi fatin e madh që ai flamur, ai plak i moçëm, ai njeri i madh i asaj dite të shënuar, kaloi dhe pranë kësaj trevës tonë. Një trevë që në histori ka treguar qëndrueshmëri, guxim dhe urtësi. Është e vërtetë që çdo ditë që po vjen ky flamur e kjo histori ka filluar dhe më shumë të rrezikohet nga largimet e mëdha”, tha kryebashkiaku.
“Kisha është katolike dhe e përgjithshme, një e pavarur. Feja dhe populli janë një dhe të pandarë”, tha përfaqësuesi i kishës ortodokse at Pandeli Sota.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit dhe përshëndetjeve të rastit pjesëmarrësit kanë ndjekur një koncert të organizuar nga qëndra kulturore Divjakë
113-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u kremtua edhe në Lezhë. Ceremonia u mbajt pranë obeliskut të "Besëlidhjes" në qender të qytetit, ku u ngrit flamuri dhe u vendosen kurora me lule nga autoritetet lokale, në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar
Në fjalën e tij kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu i cili teksa vlerësoi sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në pavarësinë e vendit, tha se na duhet më shumë punë dhe përkushtim në vendin tonë, ndërsa në të njëjtën linjë ishte edhe prefekti Taulant Malshi.
"Tregojmë mirënjohje, nderim e përurje, se ne nuk e harrojmë klurrë përpjekjet, sakrificat dhe gjithçka që bënë Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe të gjithë firmëtarët e pavarësisë. Shqipëria që nga ajo ditë ka pësuar shumë ndryshime. Rruga nuk ka qenë e lehtë, në rrugën për pavarësi kemi kaluar nëpërmjet luftërave, përpjekjeve për zhvillim, pengesave por sot të gjithë ne jemi krenarë sepse së pari gëzojmë lirinë. Me këtë liri, jemi munduar të ndërtojmë një jetë më të mirë për qytëtarët tanë. Na duhet më shumë punë dhe përkushtim për Lezhën dhe Shqipërinë", tha Ndreu.
Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Lezhë për 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, krahas autoriteteve lokale, bëri bashkë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare e dhjetëra qytetarë.
113- vjetori i Pavarësisë është kremtuar paraditen e sotme edhe në Fier në një atmosferë festive kuq e zi. Në ceremoninë e rastit kanë qenë të pranishëm autoritetet më të larta vendore dhe deputetët socialistë të zonës.
Ceremonia e ngritjes së flamurit është shoqëruar nën tingujt e bandës frymore të qytetit, me vendosjen e kurorave me lule pranë memorialit historik të ngritjes së flamurit, ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse kryebashkiaku Armando Subashi ka vlerësuar sakrificat dhe guximin e të parëve tanë në luftën e tyre për liri.
Edhe këtë herë opozita nuk i është bashkuar ceremonisë festive me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Në sheshin e Flamurit në Vlorë, është mbajtur sot ceremonia tradicionale, ajo e ngritjes së flamurit.
Të shumtë janë ata qytetarë të cilët kanë udhëtuar drejt Vlorës, ndërsa ta dhe Guri Rrokaj nga Mallakastra, i cili në portret i ngjan Ismail Qemalit.
“Ditë e shënuar, na kujton flamurin Bizant që nga koha e Skënderbeut deri të Vlora e Ismailit. Dua të citojë vargjet e të madhit Ali Asllani. ‘Shqipëri moj shkëmb e gurë, vritesh pritesh për flamurë’”, tha Guri Rrokaj, një mjeshtër i madh mallakastrioti.
Shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur Vlorën për të festuar Ditën e Flamurit. Ata thonë se 28 nëntori është datë historike për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë.
“Vijmë nga Kosova, për të festuar, për të marrë pjesë në festën e flamurit. Organizimi duket mirë, padiskutim. Është një shesh që është ngrit flamuri nga ky vend, dhe shpresoj se sa më mirë do jenë Kosova dhe Shqipëria.
Vijmë nga Podujeva. 28 nëntori është datë historike për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë.
Vijmë nga Prishtina. Vlora është vendi jonë i përbashkët.
Jemi nga Prizreni, jemi një grup bletarësh. Viti i parë që vijmë në Vlorë. Vlora do të thotë shumë për ne shqiptarët e Kosovës, ne e kishim si simbol krenarie në Kosovë”, shprehen ata.
Komente








Po Belinda pse nuk eshte aty ?
PërgjigjuNA URON HAJDUTI...QE DO MA VJEFHI ME SHUME KETE VIT....pusht i ndyre....
PërgjigjuEshte nji lumturi te festosh shpalljen e Pavaresise qe113 vite ,por pyetja eshte kur dota festojme boshadisjen e Shqiperise qe xhdo dite po ike populli Shqipetare dhe zavendesohet me Afrikane,Aziate dhe me Greke kurse Qeveritaret ,deputetet grinden njeri me tjetrin mbushin xhepat dhe nuk ju intereson ky problem Turp ,neve festojme por ne te vertete nuk jemi shtet sovran pa Amerikanet dh BE nuk zbatohet asgje.
PërgjigjuSot eshte dite per te festuar dhe jo per kritika. Te rroje Kombi shqiptare. Lavdi Kastriotit e Ismailit tone.