Presidenti Bajram Begaj pranoi Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Moldavisë, jorezident në Shqipëri, Emil Jacota. Gjatë takimit, Begaj i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet politike midis dy vendeve.

Presidenti theksoi se Shqipëria është e përkushtuar të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, duke vlerësuar si nxitës të zhvillimit të turizmit vendosjen e fluturimeve direkte gjatë sezonit të verës.

Ai përsëriti gjithashtu thirrjen ndaj Moldavisë për rishikimin e qëndrimit për njohjen e Kosovës, ndërsa riafirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj aspiratave të Moldavisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, Presidenti theksoi se Shqipëria ofron përvojën e saj në lidhje me reformën në drejtësi të ndërmarrë në Moldavi.

“Pranuam Letrat Kredenciale nga Ambasadori jo-rezident i Moldavisë në Shqipëri, Emil Jacotă. Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të thelluar lidhjet miqësore midis dy vendeve tona.”, shkroi Begaj.