Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vlerësoi kontributin që japin strukturat e inteligjencës së NATO-s në takimin me Asistent - Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Intreligjencën dhe Sigurinë, David Cattler.
Begaj nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet strukturave të inteligjencës të vendit tonë me ato të NATO-s është thelbësor, për të parandaluar influencat malinje të vendeve me qëllime jo miqësore.
Presidenti Begaj diskutoi me Cattler edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku pavarësisht progresit të bërë, vërehen përpjekje të aktorëve me ambicie gjeopolitike, për të zgjeruar influencën dhe penguar proceset eurointegruese.
Kreu i shtetit theksoi se dakordësia e arritur për normalizimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është hap pozitiv dhe duhet të avancojë me arritjen e rezultateve konkrete.
Normalizimi i marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke dhe anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë si OKB dhe NATO.
Në përfundim Presidenti Begaj theksoi se strukturat e inteligjencës dhe sigurisë së Shqipërisë do vijojnë të kontribuojnë dhe bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e NATO-s.