Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi.

Sipas Presidencës, takimi u fokusua në marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e tyre me fokus në gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione dhe nevojën e bashkimit të faktorit politik shqiptar kur bëhet fjalë për të mbrojtur çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Për Presidentin Begaj: “Ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim!”

Presidenti Begaj kërkoi angazhimin e Kryeparlamentarit Gashi në zgjidhjen e kërkesave të studentëve të Jurisprudencës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.

“Unë uroj që studentëve që protestojnë për dhënien e provimit në gjuhën shqipe t’u lejohet kjo e drejtë dhe të rregullohet ky mekanizëm në mënyrë ligjore e të drejtë”, - u shpreh Presidenti Begaj.

“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme. Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë per avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, - theksoi Kreu i Shtetit.

Fuqizimi i Diasporës shqiptare, e cila për Presidentin Begaj është ”fuqia dhe zemra e kombit”, ishte, gjithashtu, një ndër temat që u diskutua në takim.