Presidenti Bajram Begaj me anë të një telegrami uroi homologun ukrainas Volodimir Zelensky për 32-vjetorin e pavarësisë.
Duke shprehur vlerësim për marrëdhëniet mes dy vendeve, Begaj thotë se për të intensifikuar bashkëpunimin, ka vendosur të ngrejë nivelin e pranisë diplomatike shqiptare në Kiev.
Urime në këtë ditë të shënuar për Ukrainën, përcolli edhe kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla.
“I nderuar Zoti President!
Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t'Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.
Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.
Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.
Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë.”
Parlamenti i Ukrainës, Verkhovna Rada, miratoi Aktin e Deklaratës së Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht 1991. Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë më 25 dhjetor të po atij viti dhe hapi ambasadën në kryeqytetin Kiev. Që nga ajo kohë, nëntë ambasadorë kanë përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Ukrainë.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka uruar Ukrianën me rastin e 32-vjetorit të Pavarësisë.
“Me rastin e 32-vjetorit të miratimit të Aktit të Pavarësisë së Ukrainës, i dërgoj popullit të Ukrainës, Parlamentit dhe Presidentit, kolegut Ruslan Stefanchuk, përshëndetjet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.
Shpallja më 24 gusht 1991 e pavarësisë së shtetit modern ukrainas kremtohet në kushtet e rënda të agresionit të Rusisë.
Shqipëria ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të luftës së drejtë të popullit ukrainas për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit mik të Ukrainës.”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.