Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Varshavë, pritet nga homologu polak: Jemi të interesuar për më tepër investime në infrastrukturë dhe turizëm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Varshavë me ftesë të Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda. Ceremonia e pritjes në Pallatin Presidencial u pasua nga takimi kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve dhe më pas me takimin bilateral të delegacioneve përkatëse.

Presidenti Begaj e konsideroi domethënës faktin që vizita e tij përkon me vitin kur Polonia kremton 25-vjetorin e anëtarësimit në NATO, 20-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe 35-vjetorin e shembjes së komunizmit.

Biseda mes Presidenti Begaj dhe homologut polak Duda u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin përballë zhvillimeve rajonale dhe sfidave globale.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Polonisë, Presidenti  Begaj bëri të ditur se kryefjalë e këtij bashkëbisedimi ishte dakordësimi dhe konsolidimi i vullnetit të përbashkët për një bashkëpunim më të ngushtë në një seri temash të rrafshit dypalësh, por edhe për zhvillimet rajonale apo kërcënimet globale.

Në bisedime u ra dakord, gjithashtu, që marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ekzistues të nxitet e zgjerohet më tej në të gjitha fushat me interes të përbashkët,  në veçanti në ato ekonomike.

Arritjet e deritanishme, sipas Presidentit Begaj, duhen vijuar me të tjera bashkëpunime.  

“Shqipëria, - u shpreh Kreu i Shtetit, - mbetet plotësisht e interesuar të presë më tepër investime direkte në infrastrukturë, transport, bujqësi, turizëm, etj, për faktin se ka një ekonomi dinamike, monedhë të qëndrueshme, inflacion nën kontroll, si dhe një sektor bankar të shëndetshëm.

Kreu i Shtetit i shprehu homologut të tij polak mirënjohje për mbështetjen e dhënë ndaj procesit integrues të Shqipërisë në BE. Marrja e Presidencës së Këshillit Evropian në fillim të vitit 2025 nga ana e Polonisë u vlerësua nga Presidenti Begaj si një mundësi për nxitur përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për të lehtësuar më shumë përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ndërsa shprehu mirënjohje ndaj Polonisë për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës, Presidenti Begaj inkurajoi vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike Varshavë - Prishtinë. Presidenti i Shqipërisë e vlerësoi të një rëndësisë strategjike edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n.

Për sa u përket çështjeve të sigurisë në rajon, Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e Polonisë në kuadër të KFOR-it në Kosovë apo Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjithashtu,  përballë luftës në Ukrainë, Kreu i Shtetit vlerësoi se Ballkani Perëndimor duhet të ruajë vizionin për të ardhmen Euroatlantike dhe për këtë nevojiten politikat e zgjerimit të BE-së.

Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin se “Shqipëria vazhdimisht dhe pa ekuivok ka shprehur solidaritetin e plotë ndaj Ukrainës dhe ka theksuar mbështetjen e palëkundur e të vazhdueshme për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”.

Në këtë drejtim, u vlerësua roli dhe angazhimi i Polonisë dhe Presidenti i Republikës i shprehu homologut Duda mbështetjen e plotë.

“Është jetike për sigurinë tonë të përbashkët që të shtojmë dhe të ruajmë mbështetjen për Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Mbështetja e Ukrainës nuk është bamirësi, është një investim në sigurinë e përbashkët, në të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne besojmë se e ardhmja e Ukrainës qëndron brenda familjes Euroatlantike dhe mbështesim synimin e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s sa më shpejt që ta lejojnë kushtet”, - deklaroi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun polak, Andrzej Duda, të mbajtur ne Varshavë.

G.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë