Presidenti Biden dhe zonja e parë urojnë për festat pjesëtarët e ushtrisë amerikane

Presidenti Biden dhe zonja e parë urojnë për festat pjesëtarët e ushtrisë amerikane

Joe dhe Jill Biden në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Joe Biden shënoi Krishtlindjen e tij të parë në detyrë duke komunikuar me anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan në baza në mbarë botën, për t’i uruar ata për festat dhe për t’u shprehur mirënjohje për shërbimin dhe sakrificën e tyre për vendin. Në shoqërinë e bashkëshortes së tij Jill, presidenti foli të shtunën përmes videos me anëtarët të të gjitha degëve të ushtrisë amerikane të vendosur në bazat e Katarit, Rumanisë, Bahreinit dhe Shteteve të Bashkuara.

"Si komandanti juaj i përgjithshëm, doja të përfitoja nga ky rast për t’ju thënë faleminderit, faleminderit, faleminderit," u tha ai pjesëtarëve të ushtrisë. "Ne ju jemi mirënjohës për guximin, sakrificën tuaj dhe të familjes suaj."

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, zoti Biden u tha atyre se ata janë "shtylla e palëkundur e kombit" dhe theksoi "detyrimin e shenjtë" që ka vendi për t'u kujdesur për ushtarët dhe familjet e tyre. Jill Biden tha se i kuptonte vështirësitë që përjetojnë familjet e tyre duke i kaluar festat larg njerëzve të tyre të dashur, duke vënë në dukje se edhe ata vetë kishin përjetuar të njëjtën gjë kur djali i tyre Beau, i cili kishte shërbyer si major në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së Delauerës, ishte stacionuar në Irak.

Familja presidenciale po kalon një Krishtlindje relativisht të qetë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërsa pandemia e koronavirusit intensifikohet sërish, për shkak të variantit shumë ngjitës Omicron, presidenti dhe bashkëshortja e tij u përpoqën me daljet dhe deklaratat e tyre publike të ofronin një ndjenjë uniteti dhe normaliteti në një sezon që është i vështirë për shumë njerëz. Në një deklaratë për Krishtlindjen, ata ngritën lart "guximin, karakterin, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë" e popullit amerikan përballë pandemisë dhe shprehën shpresën që vendi të gjente "dritën në errësirën" e një sezoni të vështirë.

"Gjatë këtij sezoni festash, ne frymëzohemi nga amerikanët e panumërt që janë një kujtesë se gjërat që i kemi të shenjta na bashkojnë dhe e kapërcejnë distancën, kohën dhe madje edhe kufizimet e një pandemie," thanë ata në deklaratën e tyre. Të premten në mëngjes, Presidenti Biden dhe zonja e parë Jill vizituan Spitalin Kombëtar të Fëmijëve për të uruar për festat e fundvitit pacientët e vegjël dhe familjet e tyre. Presidenti e tregoi atyre fotot e qenit të tyre të ri dhe Jill u lexoi një libër për fëmijë./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja