Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po planifikon të ulë tarifat doganore për mallrat nga India në 18%, nga 25%, pasi kryeministri indian Narendra Modi pranoi të ndalonte blerjen e naftës ruse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Trump shprehet se pas një bisede me kryeministrin Narendra Modi ranë dakord që India të blejë naftë nga SHBA-të.

“Ishte një nder të flisja me Kryeministrin Modi, dhe ai është një nga miqtë e mi më të mirë. Ai ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të blejë shumë më tepër nga Shtetet e Bashkuara dhe, potencialisht, nga Venezuela. Kjo do të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë. Nga miqësia dhe respekti për Kryeministrin Modi dhe, sipas kërkesës së tij, që hyn në fuqi menjëherë, ramë dakord për një Marrëveshje Tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, me anë të së cilës Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë një Tarifë  Doganore Reciproke të reduktuar, duke e ulur atë nga 25% në 18%”, shkroi Donald Trump në llogarinë e tij në Truth.

Ndër të tjera Trump thekson se India do të fillojë gjithashtu të ulin tarifat doganore të importit për mallrat amerikane në zero dhe të blejë produkte amerikane me vlerë 500 miliardë dollarë.

"Ata gjithashtu do të ecin përpara për të ulur Tarifat doganore dhe Barrierat Jo-Tarifore kundër Shteteve të Bashkuara, në ZERO. Kryeministri u zotua gjithashtu të "BLEJË AMERIKANË", në një nivel shumë më të lartë, përveç mbi 500 MILIARDË DOLLARËSH të energjisë, teknologjisë, bujqësisë, qymyrit dhe shumë produkteve të tjera amerikane. Marrëdhënia jonë e mrekullueshme me Indinë do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen. Unë dhe Kryeministri Modi jemi dy njerëz që i PËRFUNDOJMË GJËRAT, diçka që nuk mund të thuhet për shumicën. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje", përfundon Trump.

Ky veprim vjen disa muaj pasi Trump i bëri presion Indisë që të ulë varësinë e saj nga nafta e lirë bruto ruse. India ka përfituar nga çmimet e ulëta të naftës ruse, ndërsa pjesa më e madhe e botës është përpjekur të izolojë Moskën për pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Foto: Postimi i Donald Trump në Truth