Meshkujt nën moshën 45 vjeç në Gjermani nuk mund të qëndrojnë më shumë se tre muaj jashtë vendit pa marrë leje nga shteti.

Ky është një nga ndryshimet që ka hyrë në fuqi që prej 1 janarit, si pjesë e ligjit për modernizimin e shërbimit ushtarak, një paketë që synon të forcojë mbrojtjen e vendit në një klimë sigurie gjithnjë e më të tensionuar në Europë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, të gjithë meshkujt nga 17 vjeç e lart duhet të kërkojnë miratim paraprak nëse planifikojnë qëndrime jashtë vendit mbi tre muaj. Në praktikë, lejet pritet të jepen normalisht, por qëllimi është që shteti të ketë një regjistër të saktë.

Me pak fjalë, sipas BBC-së, autoritetet duan të dinë kush ndodhet jashtë, në rast se lind nevoja për mobilizim.

Ky rregull ka kaluar pothuajse pa u vënë re derisa u raportua nga media gjermane, ndërsa vetë ministria pranon se pasojat për të rinjtë mund të jenë të ndjeshme. Për këtë arsye, po punohet edhe për përjashtime, që të shmanget burokracia e panevojshme.

Baza ligjore nuk është e re. Ajo lidhet me ligjin për shërbimin ushtarak të vitit 1956, i cili është ndryshuar disa herë ndër vite, përfshirë edhe në dhjetor të vitit të kaluar. Më herët, detyrimi për të raportuar qëndrimet jashtë vendit vlente vetëm në raste lufte apo mobilizimi kombëtar.

Sipas zyrtarëve, një rregull i ngjashëm ka ekzistuar edhe gjatë Luftës së Ftohtë, por praktikisht nuk është zbatuar ndonjëherë.

Ndryshimet e fundit janë pjesë e një plani më të gjerë për të rritur ndjeshëm kapacitetet e ushtrisë gjermane. Objektivi është që numri i trupave aktive të shkojë nga rreth 180 mijë në 260 mijë deri në vitin 2035.

Për rrjedhojë, Gjermania ka rikthyer edhe shërbimin ushtarak në formë vullnetare. Që nga janari, të gjithë 18-vjeçarët marrin një pyetësor për të treguar nëse janë të interesuar për t’u bashkuar me ushtrinë.

Nga korriku i vitit 2027, ata do të duhet të kalojnë edhe një test fizik, për të përcaktuar nëse janë të aftë për shërbim në rast lufte.

Gratë mund të regjistrohen vullnetarisht, por nuk mund të detyrohen të shërbejnë, sipas Kushtetutës.

Megjithatë, autoritetet lënë të hapur mundësinë që shërbimi i detyrueshëm të rikthehet, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse nuk ka mjaftueshëm vullnetarë.

Vendimi ka sjellë reagime të forta, sidomos nga të rinjtë. Protesta janë organizuar kundër ndryshimeve, me kritikët që shprehen se nuk duan të kalojnë muaj të tërë në kazerma duke u trajnuar për luftë.

Nga ana tjetër, qeveria e sheh këtë si të domosdoshme. Pas viteve ’90, kur ushtria u reduktua ndjeshëm, Berlini tani po përpiqet të rikthejë forcën ushtarake.

Ish-kancelarja Angela Merkel e hoqi shërbimin e detyrueshëm në vitin 2011, por sot situata duket krejt ndryshe.

Me luftën në Iran, kancelari aktual Friedrich Merz ka premtuar ta kthejë ushtrinë gjermane në më të fortën në Europë, përballë një realiteti që qeveria e cilëson gjithnjë e më të rrezikshëm.