FIFA njoftoi të martën në mbrëmje se pret që ekipi kombëtar iranian i futbollit të mos ketë probleme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht luftës midis dy vendeve, e cila filloi së fundmi dhe ka futur në konflikt vendet e Lindjes së Mesme.

Irani është planifikuar të luajë në Inglewood të Kalifornisë kundër Zelandës së Re më 15 qershor dhe Belgjikës më 21 qershor, përpara se të përfundojë fazën e grupeve me një ndeshje kundër Egjiptit në Seattle më 26 qershor. SHBA-të presin Kupën e Botës së bashku me Kanadanë dhe Meksikën nga 11 qershori deri më 19 korrik. Zyrtarët iranianë kanë sugjeruar së fundmi se pjesëmarrja e ekipit të tyre kombëtar është në pikëpyetje për shkak të luftës.

Dyshimet për pjesëmarrjen e Iranit në Botërorin 2026, duke parë konfliktin aktual mes republikës islamike dhe SHBA-ve, kanë qenë në qendër të vëmendjes mediatike dhe sidomos asaj sportive. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, me një postim në ‘X’, ka dashur të konfirmojë se nga organizatorët nuk ka asnjë masë përjashtuese për vendin aziatik nga ky event.

“Këtë mbrëmje (dje) takova presidentin e SHBA-ve, Donald J.Trump, për të diskutuar në lidhje me përgatitjet për Kupën e Botës dhe entuziazmin në rritje për eventin që nis pas 93 ditësh. Folëm edhe për situatën në Iran dhe faktin që kombëtarja e këtij vendi është kualifikuar për në Kupën e Botës.

Presidenti Trump garantoi se kombëtarja iraniane është e mirëpritur të marrë pjesë në Botëror. Kemi të gjithë nevojë për një event si Kupa e Botës për të bashkuar njerëzit, tani më shumë se kurrë. E falenderoj presidentin e SHBA-ve për mbështetjen”, ka shkruar Infantino.

Më herët këtë javë, drejtori i operacioneve të Kupës së Botës në FIFA tha se turneu ishte "shumë i madh" për t'u shtyrë për shkak të trazirave globale të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme.

Drejtori Heimo Schirgi tha se FIFA vazhdon të monitorojë nga afër luftën në Iran.

"Në thelb, ne po e monitorojmë situatën ditë pas dite dhe në një moment do të kemi një zgjidhje. Dhe Kupa e Botës, sigurisht, do të zhvillohet, apo jo? Kupa e Botës është shumë e madhe dhe shpresojmë që të gjithë ata që janë kualifikuar të mund të marrin pjesë", deklaroi Schirgi.