Presidenti i FSHF, Duka: Shqipëria
kualifikohet në Europianin 2016
VIDEO/Intervista në emisionin Airport

Rezultati i 2 ndeshjeve të fundit të Kombëtares ishte zhgënjyes. Loja ndaj Sllovenisë mori vlerësime kurse ajo e Islandës pak më pak. Përpara se të ishin këto takime që ishin shumë të rëndësishme, prisnit pikë? Shkuam për rezultate pozitive?
 
Ishin në një atmosferë ndryshe përpara ndeshjeve, ndoshta dikush ishte dhe në eufori por ne brenda imstitucioneve të futbollit dhe skuadrës nuk është se ishim në eufori. Dihet që ishin dy ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe shumë të vështira. Dihej që nuk ishte e lehtë për një skuadër si ne me kaq eksperienca. Megjithatë mendoj që meritonim pak më shumë nga ajo çfarë dhanë ekipet në fushë. Në Slloveni kemi humbur raste ndoshta jo për të fituar një por dy ndeshje futbolli. Por gjithsesi futbolli është garë, futbolli jo gjithmonë ai që luan mirë fiton. Ndërsa në ndeshjen e dytë në Islandë skuadra nuk ishte e pregatitur psokologjikisht për të fituar. Mbas shënimit të golit, në vend që kundërshtari të humbte toruan, ishte skuadra jonë e cila hyri nën presion dhe nuk e përballoi dot. Gjithsesi tani duhet të shikojmë për të kapur maksimumin e rezultateve të këtij edicioni sepse kemi prapë dy ndeshje po aq të rëndësishme dhe matematika, pavarësisht se është shumë e vështirë, matematika nuk është se e ka nxjerrë jashtë ekipin.
 
Në fakt çfarë ndodhi? Të paktën ndeshjen gjatë Sllovenisë, mund të flasim për një vendosje të gabuar dhe nga ana e trajnerit vetëm me një sulmues?
 
Trajner si puna e De Biasit që drejtojnë kombëtare të skuadrave me pak popullsi janë me fat sepse të drejtosh një kombëtare si Italia do të debatosh me miliona opinionistë, tifozë etj që në çdo rast pas ndeshjes mund të kenë të drejtë ose jo por gjithsesi kanë opinionet e tyre dhe pikërisht futbolli prandaj është i bukur sepse të gjithë kanë të drejtë të diskutojnë. Pas ndeshjes, mund të mendosh që kjo sikur kjo të ishte bërë kështu, të shkonte kështu, sepse nuk mund të parashikosh se si, pavarësisht se u paraqit mirë në stërvitje apo në ndeshje të tjera, sa do të jetë në gjendje për ta përballuar një ndeshje një futbollist. Nuk mendoj që ka qenë humbja në Slloveni sepse siç e thamë u krijuan raste. Që mund të ketë gabime në lojë, gjithmonë ka gabime se po mos ketë gabime nuk mund të ketë fitues në lojë. Përderisa u krijuan raste nuk mendoj që ka qenë defekt teknik humbja, më shumë fat.
 
Po në Islandë çfarë ndodhi?
 
Për mua si e ndjeva unë personalisht. Deri në minutën e 10' që shënuam golin nuk mendoj që luajtëm keq, luajtëm mirë. Edhe unë vetë në tribunë pasi shënuam golin pata më shumë ngarkesë emocionale se sa para se të shënonim golin dhe kështu e gjykoj që e kanë përjetuar dhe futbollistët në fushë. Pas shënimit të golit nuk arritëm të koncentroheshim. Ndoshta këto janë ato diferencat që duhet të kalosh për të qenë fitues, për të qenë kryesues apo pretendent për një play off në grup. Duhet ti kalosh të gjitha, jo vetëm përgatitjen fizike, taktike, teknike por edhe atë psikologjike. Duhet të jesh i përgatitur psikologjikisht për të arritur objektivin.
 
Çfarë ekipi kombëtar kemi parë në këtë fushatë kualifikuese? Me shumë ndryshime, me lojtarë të rinj. E kemi krijuar një identitet si skuadër, qoftë edhe në zhvillimin e lojës?
 
Ka ndryshime pozitive dhe fakti që ne deri para 20 ditësh ishim pretendentë ose ëndërronim pothuajse si të sigurtë të paktën një play off në grup, tregon që kjo skuadër ka bërë hapa pozitivë. Ka ndryshime jo vetëm në rezultate dhe pikë, sepse pikët nganjëherë edhe nuk vijnë pavarësisht se ti mund të luash, pra ka ndryshime në numrin e futbollistëve në kualitetet që ka skuadra brenda. Realisht sot nuk është se ndihen shumë, sepse në futboll kuptohet që ka mungesa,kartona, dëmtime etj, por kemi goxha alternativa të cilat mund ti zëvendësojmë dhe janë të domosdoshëm për një edicion. Siç ka dhe kualitete të mira, domethënë prurje të këtij edicioni të cilët e justifikojnë të përfaqësojnë fanelën e Shqipërisë.
 
Në fakt pas largimit të z.Kuzhe dhe me ardhjen  e De Biasit shumë ndryshime parashikoheshin, nëse do të zëvendësohej Lala, Skela apo qoftë edhe Erjon Bogdani. Është arritur ky objektiv? Realisht me çfarë objektivi jemi futur z.President që mund ti keni thënë dhe De Biasit për një vend më lartë në grup, për pikë apo për të krijuar një ekip kombëtar për një rinisje sepse kjo fushatë kualifikuese e tillë ishte?
 
Njerëzit nuk zëvendësohen. Lala, Skela nuk zëvendësohen pavarësisht se bëhen prurje të reja dhe kualitete të ndryshme. Ata janë futbollistë që kanë kontribuar goxha, Lala, Skela, Duro, Bushi etj për Kombëtaren Shqiptare për gati 10 vite, në vite shumë të vështira për Shqipërinë, kur Shqipëria e kishte vërtetë të vështirë të provonte ndoshta futbollistë të tjerë në ato kushte që ka qenë. Kanë dhënë maksimumin dhe e kanë mbajtur gjallë le të themi aktivitetin futbollistik në Shqipëri. Tani kuptohet që jo vetëm në futboll, por edhe jeta kështu e ka, ca ikin e ca vijnë. Këto prurjet që kanë ardhur kanë krijuar një ansambël tjetër, një kompleks tjetër, ndoshta një mënyrë tjetër të luajturi, kështu që s'mund të flasim për zëvendësimin e tyre. Ajo çka ne i kemi kërkuar në fillim vetes, stafit dhe objektivat tona ishin që duke qënë që ishin tamam një brez i ndryshuar, të rinovonim në një lloj mënyre skuadrën, por duke marrë maksimalen e rezuktateve të mundshme. Nuk është se realisht kemi pretenduar në atë kah se mendojmë që u krijua një boshllëk i madh që do të ishim pretendentë për kualifikim ose për play off, por gjithsesi kemi tentuar që të marrim maksimumin e pikëve por duke e krijuar, rinovuar këtë skuadër dhe duke pasur një numër më të madh futbollistësh në dispozicion. Besoj që në një lloj mënyre këto janë arritur.
 
Nëse marrim fushatën kualifikuese, le të themi cila ka qenë pika më e lartë që ka arritur kombëtarja?
 
 Mendoj që rezultati historik, dy gjëra janë kulminante në rezultat përveç këtyre që thamë. Rezultati historik është fitorja në Norvegji që Shqipëria nuk ka fituar ndonjëherë me një kundërshtar të nivelit të Norvegjisë jashtë fushës së saj. Nuk e kemi të kehtë ne që të fitojmë jashtë, gjë që  e treguam dhe me dy ndeshjet e fundit. Dhe arritja e vendit të 37 në FIFA gjë që besoj që është goxha sukses i madh.
 
Gjithsesi, momentalisht jemi në vend të parafundit. Ndoshta mund ta themi, u rikthyem në origjinë. E mendonit këtë rezultat pas kësaj fushate që ndodhi?

Në një grup me 5 apo me 6 skuadra, pra në një fushatë eleminatorësh të dalësh në vend të dytë, vend të tretë, vend të pestë apo vend të gjashtë, unë nuk mendoj që ne kemi bërë hap mbrapa siç e thashë më sipër. Ekipi kombëtar ka bërë hapa përpara. Ka bërë rezultate pozitive, ka një skuadër e cila të kënaq në një lloj mënyre në fushë në lojën e saj. Shqipëria e dikurshme, kurrë ndonjë shqiptar nuk e ka menduar që mund të sulmonte Slloveninë. Që të arrish atë kualifikimin e ëndërruar nga të gjithë shqiptarët, kuptohet që duhet kohë, hapat të hidhen një nga një dhe edicioni akoma nuk ka përfunduar. Mund të jemi në vend të pestë, mund të jemi në vend të katërt, mund të jemi dhe në vend të dytë. Diferencat në këtë grup janë aq të vogla saqë vërtetë nuk do të thotë gjë. Janë aq të vogla saqë në dy ndeshjet mund të dalësh në vend të dytë, mund të dalësh edhe në vend të fundit. Është një grup në një lloj mënyre i balancuar, që mund të ofrojë çdo lloj surprize.  
 
Momentalisht të gjithë ne, por edhe tifozët menduan, na u krijua ideja sikur do të shkonim në Botëror. Të paktën në fazën e play off, sepse Botërorin Zvicra ndoshta vendin e parë e kishte siguruar. Ju personalisht e menduat ndonjëherë në ato periudha kur ne ishim në vend të dytë ?
 
Kam besuar shumë të paktën në play off, jo në vend të parë, por në play off kam besuar shumë. Janë disa rezultate të cilat ne nuk i kemi merituar. Realisht për çfarë kemi dhënë, çfarë kemi kontribuar për këtë grup, kemi merituar më shumë se aq. Nuk e kemi merituar të rrihemi me Islandën në Tiranë. Nuk e kemi meriatuar ndoshta të barazojmë me Norvegjinë në Tiranë, gjë që do të na çonte automatikisht në vend të dytë. Ose të paktën një pikë me Islandën ne prapë ishim 70% në vend të dytë. Kështu që e kam besuar realisht që do të ishim në një vend në play off, në një play off jashtëzakonisht të vështirë, ndoshta shumë pak të mundur për të kaluar.
 
Cilat janë shancet tani President. Çfarë prisni nga ndeshjet e mbetura, ndaj Zvicrës dhe ndaj Qipros?
 
Ajo që pres është që të fitojmë kundër Zvicrës në Tiranë. Pastaj të mendojmë për të udhëtuar në Qipro. Gjëja kryesore është që gjithë skuadra madje dhe pas dy humbjeve kemi bërë maksimumin bashkarisht të gjithë që ekipi mos ta ndjejë aq shumë peshën e humbjeve, sepse në fund të fundit ky është futbolli, janë gjëra që ndodhin në futboll dhe ne duhet të marrim maksimumin, të paktën e djersës dhe kontributit që kanë dhënë çunat deri tani dhe të fitojmë kundër Zvicrës në Tiranë, jo të fitojmë sepse duam të fitojmë kundër Zvicrës, por të fitojmë sepse na duhet ne për vete.
 
Sa e ndier është kjo ndeshje ndaj Zvicrës. Sepse kujtojmë që ndeshjen e parë në transfertë në Luzern edhe polemikat me futbollistët me origjinë shqiptare?
 
Nuk ka lidhje. Ne duhet të fitojmë sepse na duhet ne. Është ndeshje e veçantë sepse Zvicra është e para në klasifikim dhe është realisht skuadra më e mirë e grupit. Në këndvështrimin tim ne jemi skuadra e dytë më e mirë e grupit, pavarësisht se sa pikë kemi. Kështu që duhet ta fitojmë këtë ndeshje, por praoë trajneri, stafi duhet të kalojmë në një lloj mbingarkese sepse fitorja është një gjë e domosdoshme. Duhet të bëjmë maksimumin, të japim maksimumin dhe të kërkojmë për ta fituar ndeshjen. Nuk është se ka ndonjë armiqësi me Zvicrën. Për mua janë kundërshtarë të gjithë dhe e kam thënë mendimin tim disa herë. jemi duke luajtur kundër Zvicrës dhe kundër zvicerianëve.
 
Sipas jush, duke qenë se ndeshja luhet në Tiranë, nëse mund të themi një mesazh për tifozët si të mirëpresin ata futbollistë që janë me origjinë shqiptare?
 
Tifozët shqiptarë jo vetëm në këtë ndeshje, por në çdo lloj ndeshje duhet të mbështesin shumë skuadrën shqiptarre, duhet të mbështesin kombëtaren Kuq e Zi, të jenë të kultuaruar, të jenë të edukuar, fairplay, jo vetëm në këtë ndeshje.

Si e vlerësoni punën e trajnerit De Biasi gjatë kësaj fushate kualifikuese? Normalisht edhe ndeshjet miqësore nuk mund të përjashtohen.
 
Duke i bërë një lloj përmbledhje të atyre që thamë më lart që skuadra është rinovuar, ka një numër më të madh futbollistësh. Ka patur disa rezultate pozitive, ndoshta dhe rekord siç është vendi i 37 i renditjes në FIFA. Njerëz pa të meta nuk ka. Dhe De Biasi ka të metat e veta siç i kemi të gjithë, por e çojnë punën e tij në një bilanc pozitiv që na ka bërë neve ti ofrojmë atij dhe gjithë stafit një rinovim për edicionin e ardhshëm.
 
Pra mund të themi se De Biasi mund të rinovojë kontratën me Federatën?

Tani, ne jemi Federata Shqiptare e Futbollit. Shpeshherë gjërat janë të mundura dhe të pamundura. Ne i kemi propozuar De Biasit një ofertë ekonomike më të mirë se sa ajo kishte dhe presim që ai të thotë 'Po' ose 'Jo'. Nuk është puna që ne do të bëjmë negociata, këto janë mundësitë tona. Të thashë, jemi Federata Shqiptare e Futbollit dhe kemi ofruar realisht duke ditur dashurinë që kanë shqiptarët për Kombëtaren dhe rëndësinë që ka ekipi kombëtar, kemi ofruar shifra financiare të mëdha dhe të dhimbshme për Federatën Shqiptare të Fubollit që nuk mund ti tejkalojmë.
 
Thatë që prisni një përgjigje nga trajneri. Ka një afat kur mund të bëhet ky rinovim para këtyre ndeshjeve?
 
Futbolli është profesional dhe ai është kaq profesionist, do të vazhdojë të punojë si profesionist pavarësisht nëse do të japë një përgjigje sot nesër, pasnesër. Ne nuk e kemi vënë nën presion. realisht ofertën për rinovuar edhe për edicionin e ardhshëm De Biasi e di që para dy ndeshjeve. Dhe të njëjtin mendim konstant kemi patur dhe pas dy ndeshjeve. Dhe nuk është se kemi gjykuar emocionalisht. Realisht ne jemi të bindur që puna ka qenë e mirë. Pvarësisht se ne mund të shkojmë edhe në vend të parafundit siç thatë ju me dy ndeshjet. Në futboll çdo gjë mund të ndodhë, por ne duke patur parasysh mundësitë tona financiare dhe duke vlerësuar punën e tij kemi bërë atë ofertë të cilën nuk e ndryshojmë dot.

Kam përshtypjen që De Biasi normalisht është në dijeni në shifrave dhe ka marrë kohë. Si është dukur kur ju i keni paraqitur këtë ofertë dhe shifra. E ka pritur pozitivisht?

Vlerësimi i punës së tjetrit nuk është se ai do të marrë më shumë para apo jo. Duke ja shpërblyer më shumë tjetrit mendon që i vlerësohet më shumë puna. Ka një lloj lidhje mes financave, parave dhe vlerësimit të punës së tij. Por ne vlerësimin mund ta kemi më shumë, por mundësit financire nuk i kemi më shumë se aq. Kështu që kemi bërë një lloj rritje që nuk e kemi shtuar 10% të buxheteve të shkuara. Për FSHF janë të dhimbshme. Nuk mund të kalojnë më tej.
 
Kemi një imazh të ri le të themi kur luajmë edhe në arenën ndërkombëtare kur luan kombëtarja me një trajner italian si De Biasi dhe me ato rezultate apo me atë renditje të FIFA-s që kemi shkuar ndeshjet jashtë?
 
Nuk llogaritet më që Kombëtarja Shqiptare ka 6 pikë të sigurta, ka shumë kohë. Por tashmë mendoj që jemi bërë disi dhe e frikshme, duke patur këto rezultatet e viteve të fundit me De Biasin apo dhe me trajnerët e tjerë paraardhës. Ajo që ne nuk po kalojmë dot është që ne nuk arrijmë të jemi konstant. Me një fitore jashtë nuk mund të kualifikohesh. Duhet ta kalojmë këtë fazë, duhet të jemi më të përgatitur psikologjikisht  që ne vërtetë mundemi, që e meritojmë të shkojmë në Botëror. Dhe mos na dridhen gjunjët siç na u drodhën në Islandë.
 
Shumë lojtarë janë afruar z.President. Migjen Basha edhe para De Biasit eshtë folur shumë dhe nuk është afruar në Kombëtare dhe për shkak të çështjes së dokumentacionit. Me afrimin e këtyre lojtarëve, mund të themi se meritën më të madhe e ka De Biasi apo dhe Federata e ka bërë punën e saj?
 
Trajnerët vetëm i seleksionojnë futbollistët që kanë në dispozicion. Nuk mund të mohosh që De Biasi ka kontributet e tij pozitive, dikush jep nota poztive, dikush negative. Përderisa rezultatet nuk janë të këqija dhe ajo çka jep skuadra në fushë, emocionet që dhuron skuadra janë të mira, atëherë dhe puna e tij është e mirë.
 
Jemi mësuar gjithmonë në ekipin kombëtar të paktën vitin e fundit të kemi pasur një formacion stabël pothuaj në çdo ndeshje. Kjo nuk ka ndodhur me De Biasin. 3-4 lojtarë është e sigurt që janë ndryshuar në çdo takim. Ka sjellë kjo pozitivitet apo dhe ndryshime?
 
Stabiliteti dhe krijimi i një boshti të një skuadre ndoshta skuadra është më solide. Duke qenë që janë këto prurje ndoshta dhe për trajnerin kanë qenë gjëra të domosdoshme, por unë do të mendoja për më shumë stabilitet.
 
Një mendim për Etrit Berishën? Një gardian që ka marrë të gjitha komplimentet dhe thuajse është salduar në mes të katërkëndorit.
 
Etriti është një portier shumë i mirë sikurse dhe Ujkani është një portier shumë i mirë. Është shumë i ri, ka luajtur vetëm 2 vjet më Kombëtaren. Duhet të presim, ka shumë për të bërë.
 
Çështja e Ergys Kaçe, pse keni reaguar me vonesë?

Ai më ka surprizuar me një fizik aq të vogël të luajë aq mirë futboll. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë në ndeshje me Slloveninë sidomos pas minutës 20' kur edhe ndryshoi pozicion taktik. Edhe ai është shumë i ri, ëshhtë shumë e re të them se ky është një yll i futbollit shqiptar. Ajo ishte një çështje sa ordinere dhe delikate sepse kishte të bënte me karrierën e djalit dhe dikush mund të marrë flamurin por më shumë e merr për vete se sa për ti shërbyer Ergysyt. Ne i kemi ofruar shërbimin 100% djalit. E kemi këshilluar, e kemi konsultuar. Nuk i kemi kërkuar publikisht që të bëjmë nacionalistin e madh, por kemi kërkuar që ai stabilizohet dhe të luajë futboll dhe drejtësia të shkojë në vend. Për këtë kemi sensibilizuar dhe drejtuesit e futbollit botërore europian dhe besoj se i kemi dhënë një kontribut për mirë për zgjidhjen e çështjes. Ai ska bërë asnjë mëkat, por këto grupet nacionaliste sidomos në Greqi janë shumë ekstremiste dhe mund ta penalizonin karrierën e tij sportive.
 
Në ç'pikë jemi me Januzaj?
 
Nuk është prononcuar ndonjëherë të paktën që dua apo nuk dua të luaj për Shqipërinë. Di që është prononcuar që nuk dua të luaj për Belgjikën dhe kjo është një gjë pozitive për ne.
 
Pas ndeshjes me Islandën është folur dhe për shiritin e kapitenit. Ndoshta mund ti hiqet Canës, mund të bëhet me votim,Mavraj favorit.
 
Unë jam surprizuar kur i kam lexuar nëpër gazeta. Gazetarët ndoshta mundohen që të prodhojnë skupe, nuk e di. As është diskutuar ndonjëherë brenda skuadrës, as e ka menduar ndonjëherë ndonjënjeri dhe nuk është një gjë shumë e rëndësishme që duhet që ky apo ai të jetë. Futbollistët nuk e kanë këtë problem të brendshëm dhe asnjë nuk e ka menduar këtë. Kjo është një gjë që nuk ekziston. Cana është kapiteni natyral i kombëtares sepse është lider brenda dhe jashtë fushës.
 
Folëm për rinovimi. Ju keni ofruar me ato shifra që janë sakrificë për FSHF, është një rinovim me kusht ose me objektiv për fushatën e ardhshme kualifikuese?
 
Në kualifikueset e Europianit Euro 2016 shanset janë më të mëdha sepse edhe skuadra kualifikohen më shumë. Skuadra besoj se është e mirë dhe objektivi i vetëm që duhet të ketë kombëtarja është kualifikimi për në Europianin e Francës Euro 2016. Varet dhe nga shorti. Nuk ka objektiv tjetër. Ky objektiv nuk do të thotë që cënon kontratën e De Biasit sepse objektivat pastaj, në gjuhën ekonomike shpërblehen me bonuse.
 
Mbas vendimit të Komisionit të Apelit Presidenti i FLamurtarit Shpëtim Gjika deklaroi në media se Duka është armiku im. Cili është komenti juaj?
I kam çuar sms Gjikës që nuk i plotëson kriteret të jetë armiku im. Ato vendime janë vendimet e komisionit dhe Gjika është një njeri jo me dy por me katër fytyra. Ne jemi organizatë sportive, nuk jemi organizatë penale që ne ti dënojmë me burg. Ne dënojmë me masa disiplinore.
 
Si e shikoni kampionatin shqiptar?
 
E shikoj që ka nisur në një lloj mënyre i egër. Ethet e garës kanë nisur që në ditën e parë dhe kjo është një gjë pozitive, pavarësisht se prodhon dhe shkeljeve të rregullave disiplinore, sepse sa më e fortë të jetë gara më shumë prodhon problem
 
Shpeshherë kanë mbërritur nga UEFA ato dosje për ato ndeshje të dyshuara si të trukuara?
 
Shyqyr Zotit në këtë kampionat nuk jemi në asnjë ndeshje apo dosje të dyshuar. Uroj që të vazhdojë kështu. 100% të pastër ndoshta nuk jemi, por të paktën ti afrohemi standarteve. Dhe skema e kampionatit me 12 skuadra, 4 që bien, le pak vend për tolerime apo manipulime.
 
Do të rikandidoni për President të Federatës Shqiptare të Futbollit?

Kjo nuk është një gjë që duhet të shqetësojë njeri. Ajo që është e rëndësishme është që ne të vazhdojmë dhe të zhvillojmë ato projektet që ne i kemi. Kushdo që të jetë, Duka apo dikush tjetër strukturat janë të organizuar.

Kemi patur me qeverinë e kaluar MTKRS, tashmë e kemi Arsim dhe Sport. Ju surprizoi kjo ndarje? Çfarë prisni nga politika?
 
Nuk më ka pëlqyer mënyra se si ka qenë, katastrofë fare ajo që ishte. Në pamje të parë nuk më pëlqen edhe kështu siç është. Do të isha më shumë i kënaqur nëse do të ishte një ministri sportesh ose një organ dhe komitet sportive që drejtonte sportin.


Redaksia online
(d.d/shqiptarja.com)
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit