Dëshmia e Robert Dukës, 50-vjeçarit që një ditë më parë ra në prangat e ‘bluve’ të Tiranës për grabitjen e një banke të nivelit të dytë, ka zbardhur detaje të reja.

Pjesën më të madhe të parave të grabitura në dy filiale bankare në Tiranë, me vlerë mbi 100 mijë euro, Robert alias Albert Duka ka deklaruar se e ka përdorur për të luajtur në disa kazino. Për këtë arsye, grupi hetimor u ka kërkuar informacione këtyre subjekteve, për të verifikuar nëse Duka ka qenë klient i regjistruar dhe për të zbardhur lëvizjet e tij.

Ndërkohë, 6 mijë euro nga paratë e grabitura mësohet se ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit. Të dy personat janë marrë në pyetje dhe e konfirmojnë se bëhet fjalë për hua që ia kishin dhënë Dukës. Hetuesit po verifikojnë edhe këtë pjesë të dëshmisë, për të përcaktuar destinacionin e parave dhe nëse persona të tjerë kanë përfituar prej tyre.

Pjesa më e madhe e parave të gjetura gjatë hetimeve është sekuestruar në banesën e tij në Vlorë, ndërsa në Tiranë 50-vjeçari jetonte me qira. Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, e cila punon gjithashtu në një bankë të nivelit të dytë. Për shumën e parave që ndodhej në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të siguruara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.

Por e kaluara kriminale e 50-vjeçarit është më e gjatë sesa dy bankat e grabitura brenda 5 muajve në Tiranë.

Në vitin 2010, Duka ishte arrestuar në Greqi, së bashku me tre bashkëkombës të tjerë, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, e dyshuar për kryerjen e 28 grabitjeve të armatosura në supermarkete në të gjithë rajonin e Atikës. Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2007–2010, përfitimet e siguruara nga këto grabitje kapnin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.

Pas arrestimit, 50-vjeçari u dërgua me burg, por në vitin 2016 arriti të arratisej nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të dënuar të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.

Ndërkohë, pas arrestimit të tij të fundit, Policia e Tiranës pritet të nisë edhe një hetim pasuror ndaj Robert Dukës.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë