Protesta dhe përplasje me policinë u pane në Poloni pas pezullimit me një muaj të presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Shfiençkovski, dhe zëvendësit të tij.
Vendimi, u mor nga gjyqtarja kushtetuese Anna Korwin-Piotrowska dhe nxiti reagimin e opozitës konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), që ka qeverisur vendin nga viti 2015 deri në 2023. Kryeministri Donald Tusk e mbështeti pezullimin, duke e cilësuar pjesë të përpjekjeve për rikthimin e shtetit të së drejtës.
Të premten në mbrëmje, qindra mbështetës të partisë Ligj dhe Drejtësi PiS u mblodhën jashtë Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, ku policia dislokoi forca të shumta pas paralajmërimeve për kërcënime ndaj gjyqtarëve dhe punonjësve. Tre persona u ndaluan pasi disa protestues kaluan gardhin rrethues dhe hodhën sende në drejtim të policisë.
Demonstruesit bënë thirrje kundër Tuskut, ndërsa llogaria zyrtare e gjykatës në rrjetin X e cilësoi pezullimin si një “grusht shteti”.
Presidenti polak, Karol Nawrocki, thirri këtë të shtunë bisedime urgjente me përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën e shkaktuar nga pezullimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Nawrocki, ndryshoi papritur itinerarin gjatë natës dhe u kthye në Varshavë, teksa ishte në fluturim për një vizitë zyrtare në Senegal.
Pamjet treguan një natë më parë Nawrocki-n duke çarë mes turmës për të hyrë në ndërtesën e kushtetueses.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Poloni, Tom Rose, apeloi të gjitha palët e përfshira që të mos ndërmarrin asnjë veprim që mund të shkaktojë dhunë ose të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Prej disa javësh, qeveria e Tuskut po përpiqet të largojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të emëruar nga qeveria e mëparshme e drejtuar nga PiS, e cila qëndroi në pushtet nga viti 2015 deri në vitin 2023.
Gjykata është shprehur shpesh në favor të legjislacionit polak në raport me të drejtën e BE. Për këtë arsye, BE-ja e ka akuzuar institucionin më të lartë gjyqësor polak se ka qenë tepër i afërt me pushtetin politik nacionalist të asaj periudhe.










Komente
Komento