Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka përgëzuar Malin e Zi për hapin e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një reagim publik, Costa e cilësoi vendimin për krijimin e grupit të punës për marrëveshjen e anëtarësimit si një moment kyç për procesin e zgjerimit.

“Urime Malit të Zi  sot kemi bërë një hap të madh drejt anëtarësimit tuaj në Bashkimin Evropian. Vendimi për të krijuar Grupin e Punës për hartimin e Marrëveshjes së re të Anëtarësimit është një moment kyç. Për herë të parë që nga viti 2014, BE nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës,” është shprehur Costa.

Reagimi i tij vjen pas vendimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për të miratuar ngritjen e një grupi pune që do të përgatisë traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.

Ky hap shihet si një zhvillim i rëndësishëm që e afron edhe më shumë Podgoricën me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.


Lajmi kryesor:

Mali i Zi në hapat e fundit drejt BE-së, Brukseli krijon grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit